Dështoi përpjekja e pushtetit për ta kaluar Ligjin e Lojërave të Fatit. Pasi që presidenti Pendarovski fillimisht nuk e nënshkroi dekretin, për shkak të keqpërdorimit të flamurit evropian, për çka reaguan edhe nga BE, deputetët mbrëmë vonë e vendosën sërish propozimin në votim. Kësaj radhe vendosën të anashkalojnë procedurën e rregullt dhe në leximin e tretë përdorën flamurin evropian. Por, edhe pse kishte mbështetjen e 51 deputetëve, ligji nuk u miratua, sepse nevojiteshin 61 vota. Kuvendi sqaroi se procedura tashmë ka përfunduar, pasi vetëm me 61 vota “për” presidenti i shtetit do të ishte i obliguar ta nënshkruajë dekretin.

“Në këtë fazë, pyetja ishte për hyrjen në fuqi të ligjit, për të cilin kryetari i Kuvendit dhe Presidenti duhet ta nënshkruajnë dekretin për shpalljen e tij dhe më pas ta publikojnë në Gazetën Zyrtare. Duke qenë se në rivotim nuk ishin 61 deputetë (që është kusht kushtetues), Presidenti nuk është i obliguar ta nënshkruajë dekretin dhe ligji nuk do të hyjë në fuqi”, njoftojnë nga Kuvendi.

Nga ky epilog të pakënaqur mbetën BDI. Gishtin e drejtuan kah Pendarovski, por edhe deputetët e opozitës. Nga partia mbeten në qëndrimin se Pendarovski, siç thonë ata, ka bërë gabim të madh. Por, nuk janë të zemëruar me deputetët e koalicionit të LSDM-së, të cilët nuk kanë votuar “për”.

“Të gjitha maskat ranë, u rreshtuam të gjithë dje, kush i mbron interesat e qytetarëve e kush interesat e kazinove”, deklaroi Arbër Ademi – deputet i BDI-së.

Nga Asociacioni i Organizatorëve të Lojërave të Fatit thonë se u shpëtuan mijëra vende pune.

“Shumica e deputetëve qëndruan konsekuent me qëndrimin se nuk do të lejojnë keqpërdorimin e flamurit të BE-së për ndryshime ligjore që nuk kanë të bëjnë me harmonizimin e legjislacionit evropian. Në të njëjtën kohë, duam të shprehim mirënjohjen tonë për zyrtarët e BE-së, të cilët me virtyt kanë treguar se nuk do të heshtin për abuzimet”, thonë nga Asociacioni i Organizatorëve të Lojërave të Fatit.

Presidenti më herët bëri thirrje që ligji të rishikohet në procedurë të rregullt, pra në debat të gjerë me të gjithë aktorët. Ai kërkoi që të mos keqpërdoret flamuri evropian.