Në fund të muajit mars në Maqedoninë është regjistruar borxhi publik në vlerë prej 58.6 % e PBB-së, ndërsa ai shtetëror është 50.4 %.

“Të dhënat për gjendjen e borxhit publik deri më 31 mars 2024. Sipas të dhënave të publikuara, borxhi publik arrin në 8.769 milionë euro, që paraqet 58.6% të PBB-së”, raportoi Ministria për Financa, duke shtuar që borxhi shtetëror është 50.4 % e PBB-së.

Në tremujorin e parë të këtij viti u tërhoqën mjete në vlerë prej 175.5 milionë euro në bazë të marrëveshjes së lidhur kreditore me kreditorët e huaj, ndërkohë u realizua pagesa e detyrimeve për borxhin e jashtëm në vlerë prej 82.7 milionë eurove.

Të dhënat e fundit tregojnë se borxhi publik është brenda kufijve të përcaktuar me ligjin e ri, respektivisht me Ligjin e Buxheteve. Me këtë ligj të ri u vendos rregulli me ç’rast borxhi publik nuk duhet të kalojë 60% të PBB-së, që është edhe në përputhje me kriteret e Mastrihtit”, raportoi Ministria.

Ndryshe, këtë vit, borxhi publik total do të kalojë kufirin maksimal të përcaktuar prej 60% të PBB-së. Nga viti i ardhshëm eurobondet do të “trokasin në derë” për shlyerje. Çështja e qëndrueshmërisë së borxhit publik është bërë aktuale dhe problematike që nga viti 2020, kur filloi trendi rritës. Nga viti 2018, sipas përllogaritjes borxhi publik total është rritur për më shumë se 2 miliardë euro.

Borxhi i përgjithshëm i të gjitha institucioneve shtetërore, shëndetësisë publike, arsimit, gjyqësorit, shërbimeve sociale, agjencive, komunave, ndërmarrjeve publike, në fund të vitit 2023 ishte 408,1 milionë euro. Në listën e re të “borxhlinjve”, në tre vendet e para janë tre kompani shtetërore.