Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, pret që në seancën e caktuar për nesër, deputetët sërish dhe pa diskutim të votojnë ligjet të cilët nuk u dekretuan nga presidenti Gjorge Ivanov dhe u kthyen sërish në Kuvend.

Xhaferit pret që deputetët të votojnë pa vërejte konkrete për tekstin, por vetëm me arsyetimin se kanë dhënë betimin se do të mbrojnë interesat e shtetit.

Nëse edhe pas votimit për të dytën herë Ivanovi nuk i dekreton ligjet, gjë që pritet të ndodh, Xhaferi tha se ligjet nuk do të publikohen në Gazetën Zyrtare pa nënshkrimin e Ivanovit. Ai tha se në vend të tij do të pritet nënshkrimi i presidentit të ri të shtetit.

“Nëse për Ligjin e gjuhëve kemi pritur një vit, mund edhe për këto ligje të presim të kalojë mandati i Ivanovit”, tha Xhaferi.

Ndryshe, presidenti i shtetit Gjorge Ivanov ka refuzuar të dekretojë disa ligje në të cilët ka qenë emri i ri i shtetit – Republika e Maqedonisë së Veriut.