Ministrat e propozuar nga radhët e VMRO-DPMNE-së sido që të jetë do të gjenden në propozimin për përbërjen e Qeverisë teknike. Kryeparlamentari, Talat Xhaferi tha se Qeveria do të propozohet në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjet.

“Nëse ka propozime, do të jenë. Nuk ka pengesë që të mos jenë. Ligji është i tillë. D.m.th. ai që merr pjesë në atë Qeveri teknike, i tillë është ligji nuk ka asnjëfarë pengesë apo arsye”, theksoi Talat Xhaferi, kryeparlamentar.

Nesër siç duket do të jetë “dita D” për dorëheqje. Pasi që kryeministri Dimitar Kovaçevski do ta dorëzojë dorëheqje, Xhaferi do të informojë presidentin Stevo Pendarovski se Qeveria është në dorëheqje, e më pas edhe ai vetë do të dorëzojë dorëheqje. Nga shefi i shtetit do të marrë mandatin për formimin e Qeverisë së re, ndërsa përbërjen e Qeverisë Xhaferi do ta dorëzojë të shtunën. Votimi i Qeverisë teknike do të ndodh të dielën, që është gjëja e fundit që Xhaferi do ta bëjë në cilësinë e deputetit, me çka praktikisht ai do të votojë edhe për vetveten.

VMRO-DPMNE-ja sot do të dalë me emra që do të jenë propozime për Qeverinë teknike. Nga partia e Mickoskit, thonë se nuk presin që Xhaferi t’i shkelë ligjet që në fillim dhe t’i mos fusë në përbërjen e re edhe kandidatët që i ka propozuar opozita.

“Nuk pres që në fillim të shkelë ligje, sepse Paragrafi 2 i Nenit 3 të Ligjit për Qeverinë e Republikës së Maqedonisë është shumë i prerë dhe i qartë. Në atë thuhet se mandatari, kuptohet se ai duhet të jetë Talat Xhaferi, ia dërgon Presidentit të vendit propozimin për Qeverinë teknike me emrat e ministrave të propozuar për të gjitha ministritë, në mënyrë që të mos ketë asnjë përjashtim, të paktën nuk ka pasur deri më tani. Jemi mësuar me përjashtime nga kjo garniturë, por le të shpresojmë se nuk do ta nisë mandatin e tij si kryeministër duke shkelur ligjin”, theksoi Dafina Stojanovska, VMRO-DPMNE.

Ndryshe, kjo do të jetë Qeveria e tretë teknike, sipas Marrëveshjes së Përzhinës. Para Xhaferit, kryeministra teknikë ishin Emil Dimitrievski dhe Oliver Spasovski.