Ish-presidenti shqiptar dhe lideri aktual i Partisë së Lirisë në opozitë, Ilir Meta, “është i kënaqur me rezultatin e djeshëm zgjedhor të VMRO-DPMNE-së”.

Rezultati i djeshëm në Maqedoni tregoi qartë se rikthimi i tyre do t’i japë një dimension tjetër, edhe më të lartë atij modeli, të cilin duhet ta ndjekim edhe ne duke e përshtatur me kushtet tona, vlerësoi Meta, raporton ABC News.

Meta shpreh bindjen se fitorja e kandidates së VMRO-DPMNE-së, profesoreshës Gordana Siljanovska-Davkova, do të jetë edhe më e madhe në raundin e dytë të 8 majit.

Sipas televizionit, në shembullin e ngjarjeve në shtetin fqinj, Ilir Meta, i cili po përgatitet të reformojë partinë e tij, thotë se edhe Partia Demokratike e Shqipërisë duhet të organizohet për rinovim dhe të jetë alternativë e zgjedhjeve të 2025-ës.

Ndryshimet do të jenë shumë të shpejta, ndryshimi do të jetë shumë i fortë. Ndryshimi që ndodhi dje në Maqedoni dhe që do të jetë edhe më konkret pas dy javëve të ardhshme, është një mesazh i qartë nga popujt e rajonit tonë se nuk pranojnë shpopullimin dhe defaktorizimin për qëllime mafioze të askujt në botë, shtoi ai.

Kjo nuk është hera e parë që Meta shpreh hapur mbështetjen e tij për VMRO-DPMNE-në për zgjedhjet.

Ai përmes një njoftimi në rrjetet sociale më 14 të këtij muaji ka shprehur përkrahjen e drejtpërdrejtë për VMRO-DPMNE-në dhe bindjen për fitoren e partisë në zgjedhje.

Fitorja e pritur e VMRO-DPMNE-së në zgjedhjet e ardhshme do t’i japë një dimension të ri zhvillimit ekonomik të Maqedonisë në të ardhmen nga i cili do të përfitojnë të gjithë qytetarët e saj. Vendi do të vazhdojë të ecë i sigurt në rrugën euroatlantike dhe sërish shqiptarët do të jenë garancia kryesore për këtë, ka shkruar ndër të tjerash në postimin e atëhershëm, duke postuar një foto nga takimi me Hristijan Mickoskin.

Meta ishte kreu i shtetit nga viti 2017 deri në vitin 2022.