Kandidati për presidenti “VLEN-it” Arben Taravari e ka demantuar lajmin e Top Channel, në të cilin thuhej se Taravari dje pas publikimit të rezultateve të zgjedhjeve presidenciale është takuar me Ali Ahmetin dhe ka pranuar një ofertë prej tij.

Taravari në demantin e tij thotë se “lajmi i Top Channel nuk është i vërtetë”.

“Me keqardhje mësova sot nga një media tepër serioze e Shqipërisë si është Top Channel se unë qenkam takuar mbrëmë me z.Ahmeti dhe funksionarë të tjerë të BDI-së, për të dëgjuar ofertë nga z.Ahmeti. Jo, nuk është e vërtetë”.

“Kushdo që e ka çuar këtë lajm në Top Channel gënjen. Unë mbrëmë u urova me ekipin tim dhe të qetë sot vazhdojmë punën tonë Drejt Ndryshimit! Me ofertat e Ahmetit unë jam mësuar dhe mendoj se nuk do të ishte habi të më vinte një e tillë, por ky lajm është i rremë. Ofertat nuk kalojnë te unë!”, ka shkruar Taravari.

Ndërsa në lajmin që u publikua nga Top Channel thuhej se Pak orë pas humbjes në zgjedhjet presidenciale të ditës së djeshme, kreu i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari ka zhvilluar një takim të fshehtë me kreun e BDI-së, Ali Ahmeti dhe kryeministrin teknik të Maqedonisë, Talat Xhaferi.

Theksojmë që në zgjedhjet e djeshme presidenciale, Taravari doli i katërti me vota, ndërsa ishte pas kundërkandidatit të tij shqiptar Bujar Osmani.