Në Maqedoninë e Veriut gjatë ditëve të fundit janë rritur rastet e infektimeve nga koronavirusi. Gjatë ditës së djeshme është shënuar numër rekord prej 364, që për here të parë është një shifër e tillë kaq e lartë, përcjell INA.

Komisioni për Sëmundje Infektive ka propozuar disa masa restriktive, por deri tani nuk po shqyrtohet rikthimi i orës policore. Ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe theksoi se Qeverisë i janë dorëzuar propozim-masat që do të miratohen.

Këto janë propozim masat që do të miratohen dhe do të hyjnë në fuqi:

Ndalimi i grumbullimeve familjare, festave dhe ahengjeve në kushte familjare, pasi që analizat kanë treguar se infektimet janë rritur pikërisht për shkak të këtyre aktiviteteve. Nëpër shtëpi mund të pranohen jo më shumë se katër mysafirë, me qëllim të evitimit të kontakteve me më shumë njerëz.

Ndalimi i grumbullimeve në hapësira publike të jo më shumë se 4 personave pas orës 22. Ndalimi i grumbullimeve nëpër parqe, pompa benzine, etj.

Përdorimi i obligueshëm i maskave mbrojtëse apo shamive në ambiente të hapura dhe ato të mbyllura, në çdo objekt public, transportin publik si dhe vendet e punës.

Përjashtohet përdorimi i maskave gjatë aktiviteteve sportive, transportit nëpër makina familjare të anëtarëve të një familje, gjatë qëndrimit nëpër zyra të institucioneve, nëse aty është vetëm një person, si dhe gjatë qëndrimit në kafene, por duke respektuar masat e tjera. Maska nuk obligohen të mbajnë fëmijët e moshave deri në 6 vjet.