Me rastin e 11 Shtatorit, duke i kujtuar viktimat e ngjarjes tragjike, mbrëmë në Qendrën Kulturore të Maqedonisë së Veriut në New York u hap ekspozita dokumentare “Rrugës së të drejtëve” (storje të Holokaustit nga Maqedonia dhe Shqipëria, përmes jetës së të mbijetuarve dhe të drejtëve), e cila është realizuar nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup dhe organizata joqeveritare “Acta Non Verba” – Shkup.

Ekspozitën e hapi drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, Dr. Skender Asani, i cili me këtë rast theksoi se “Instituti çdo vit e ka shënuar 11 Shtatorin, ndërsa këtë vit ka vendosur që këtë datë të rëndësishme për gjithë botën ta shënojë pikërisht në vendin ku ndodhi tragjedia që para 18 jetëve e tronditi gjithë botën.”

“Ne – theksoi Asani – këtë vit po e shpalosim ekspozitën ‘Në rrugën e të drejtëve’, që u kushtohet viktimave të holokaustit të Luftës së Dytë Botërore, më saktë hebrenjve të shpëtuar nga shqiptarët e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Ky është falënderimi, mirënjohja dhe njëherazi solidarizimi i jonë me Shtetet e Bashkuar të Amerikës.”, përfundoi drejtori Asani.

Të pranishmëve iu drejtua edhe këshilltari i ministrit të Kulturës, që është mbështetëse e kësaj ekspozite, Dr. Zeqirija Ibrahimi, i cili njëherazi është Sekretar Shkencor në  Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve. Me këtë rast ai e theksoi përkushtimin që e ka Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe ministri, Dr. Hysni Ismaili, në afirmimin dhe mbështetjen e këtyre projekteve, duke u ndaluar në veçanti në përvjetorin e rëndësishëm kur realizohet kjo ngjarje..

Në fund para të pranishmëve foli edhe rabini Noam E. Marans – drejtor i Marrëdhënieve Interreligjioze dhe Intergrupore pranë Komitetit Amerikano-Hebraik. Ai tha se ndjehet shumë i nderuar që është i pranishëm në një aktivitet që e organizon Instituti nga Shkupi, ndërsa i kushtohet shpëtimin të hebrenjve. Ai e falënderoi drejtorin, Skender Asani, dhe organizatën “Acta Non Verba”, që e kanë zgjedhur 11 Shatorin për ta shpalosur këtë ekspozitë.

Në fund, në shenjë mirënjohjeje dhe falënderimi për kontributin që ka dhënë familja Pilku për shpëtimin e hebrenjve nga Holokausti, drejtori Asani ia ndau mirënjohjen “Mik i Institutit” kësaj familje, e cila sot jeton në SHBA, në Dibër dhe në Tiranë.

Aktivitetet e “Javës kulturore shqiptare në Amerikë” vazhdojnë edhe ditëve në vazhdim.