Kompania “Sajtrok” (Cytrox AD) me seli në Maqedoninë së bashku me katër kompani të tjera dhe dy persona fizikë, janë sanksionuar nga Departamenti për kontroll të mjeteve të huaja në Ministria e Financave të Shteteve të Bashkuara, për një rol në zhvillimin e softuerit të përgjimit “Predator”.

Përveç “Sajtroks”, nën sanksione është vendosur edhe kompania greke “Inteleksa S. A”, kompanitë “Inteleksa Limited” dhe “Talestris Limited” nga Irlanda dhe kompania hungareze “Sajtroks Holding”, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Të gjitha kompanitë, sipas Ministrisë së Financave të SHBA-së, ishin të lidhura me konsorciumin “Inteleksa” për sa i përket zhvillimit, funksionimit dhe shpërndarjes së teknologjisë komerciale softuerin spiun të përdorur për të targetuar amerikanët, duke përfshirë përfaqësues qeveritarë, ekspertë politikash dhe gazetarë.

“Përhapja dhe keqpërdorimi i softuerit spiun komercial paraqet rreziqe në rritje të sigurisë për SHBA-në. Aktorët e huaj kanë keqpërdorur një softuer të tillë spiun për të mundësuar shkelje të të drejtave të njeriut dhe targetimin e disidentëve në nivel global për represion dhe hakmarrje”, deklaroi zëdhënësi i Departamentit të shtetit, Metju Miller.

SH.A. “Sajtroks”  u shtua në listën e entiteteve të Departamentit të Tregtisë më 18 korrik 2023, për trafikim të shfrytëzimeve kibernetike, të cilat përdoren për të fituar qasje në sistemet e informacionit, duke kërcënuar privatësinë dhe sigurinë e individëve dhe organizatave në mbarë botën.