Asnjë grua shqiptare s’do të kryesojë me ndonjë prej listave për deputetë për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 8 maj. Përkundër që dy koalicionet me shumicë shqiptare mbajnë emrin ‘Evropë’ në slloganet e tyre, mos vendosja e grave në pozita kryesore garuese nuk përputhet me vlerat evropiane, shkruan Mollëkuqja.

Për këtë, biseduam me dy gra që kandidojnë për deputete, prej të dyja koalicioneve.

Arbana Pasholli është e treta në listën e Frontit Evropian, zona e pestë zgjedhore. Për të, radhitja numerike jo domosdoshmërisht e përcakton cilësinë, megjithëse pajtohet se të pasurit grua si bartëse liste do të jepte një shembull të mirë.

“Dhe ndryshimet ndodhin pikërisht kur japim shembull! Partitë politike kanë përgjegjësinë që të veprojnë sepse vlerësoj se është folur dhe flitet mjaft për këtë temë dhe është koha që, në Dekadën e Aksionit sipas Kornizës të qëllimeve të qëndrueshme globale të Kombeve të Bashkuara ndër të cilat edhe qëllimin për avancimin e çështjes gjinore në nivel global, kontributi dhe angazhimi që gratë dhe vajzat mund të japin dhe e japin në politikë të merr jo vetëm vëmendjen e duhur por edhe vendin e duhur”, tha Pasholli.

Pasholli pajtohet se pozita e grave në politikë nuk është më e mira, por premton që do të luftojë për më mirë.

“Kemi gra dhe vajza të shkolluara, të afta, të përkushtuara dhe puntore dhe jam më se e bindur se do të na përfaqësonin denjësisht. Lufta për barazi gjinore është proces, proces për senzibilizim, për rritjen e vetëdijes, për ndryshim të mentalitetit, për inkurajim e fuqizim të palëve për të ndërmarrë hapa konkretë drejt avancimit të përfaqësimit të drejtë të gruas në të gjitha nivelet e veprimit e veçanërisht për përfshirjen e grave dhe vajzave në pozita të larta udhëheqëse dhe vendimmarrëse” shtoi Pasholli, duke thënë se kësaj radhe është optimiste që do të ketë edhe gra ministre shqiptare, pasi në përbërjen e fundit s’ka pasur.

Saranda Imeri Stafai është e gjashta në listën për deputetë të Lidhjes Evropiane për Ndryshim, zona e gjashtë. Thotë se shpesh herë burrat në politike kanë frikë nga gratë, pasi sipas saj, ata janë të pamundura për t’i kontrolluar.

“Gratë janë qenie tepër të vendosura dhe me un të theksuar. Janë model se si qeveriset dhe duan çdo gjë të kenë në kontroll. Kjo u pamundëson burrave t’i manipulojnë dhe t’i fusin në afera korruptive, seçse nuk u hynë rreziqeve që mund t’i kompromitojnë” tha Imeri.

Ajo thotë se gratë për barazi gjinore kanë luftë të dyfishtë, me veten dhe me shoqërinë. Premtoi se do të angazhohet që të përpilohet një ligj i posaçëm që do të detyronte emërimin e grave në poste të rëndësishme ministrore.

“Është një luftë që duhet ta bëjnë gratë me veten dhe pastaj me burrat. Politikanët tanë këtë gjë duhet ta kuptojnë se më tutje kjo luftë do të bëhet më e vendosur dhe më këmbëngulëse. Unë kam thënë dhe i qëndroj ende deklaratës time se do të luftoj që në këtë ekzekutiv të ketë gra dhe do të angazhohem së bashku me koleget që të përpilohet edhe ligj për përfaqësimin e drejtë të grave në ekzekutiv” shtoi ajo.

Dy koalicione të mëdha me shumicë shqiptare, asnjë grua bartëse

Fronti Evropian që përbëhet nga Bashkimi Demokratik për Integrim, Partia Demokratike Shqiptare, Aleanca për Shqiptarët (Ziadin Sela), Lëvizja Populli, Partia Demokratike Evropiane, Partia Demokratike Turke Unioni i Romëve, Lëvizja e Turqve të Maqedonisë për Drejtësi dhe Demokraci, Unioni Demokratik Boshnjak.

Lidhja Evropiane për Ndryshim (VLEN) që përbëhet nga Lëvizja Besa, Alternativa, Aleanca për Shqiptarët (Arben Taravari), Lëvizja Demokratike, Lëvizja Vetëvendosje.

Maqedonia do të shkojë në zgjedhje parlamentare me 8 maj, ndërsa partitë politike garojnë në gjashtë zona zgjedhore me lista prej 20 deputetësh, ku secila zonë pas rezultateve në kuvendin që numëron 120 deputetë, përfaqësohet me nga 20 deputetë.

Në lidhje me përfaqësimin gjinor në listat për deputetë, kuotat gjinore në Kodin Zgjedhor i detyrojnë partitë politike që në çdo tre vende të listës së paku një vend t’i përket gjinisë më pak të përfaqësuar dhe së paku edhe nga një vend në çdo dhjetë vende.

Partitë politike maqedonase kanë gra qo do të kryesojnë me listat zgjedhore

Lidhja Social Demokrate ua ka besuar grave këtë pozitë zonën 3 dhe 6, kurse në zonën e parë, të katërt dhe të pestë në vendin e dytë janë gratë.

Ndërsa në listat e VMRO DPMNE-së vetëm në zonën 6 udhëheq një grua, kurse në zonën e parë, të dytë dhe të pestë në vend të dytë në listë janë të radhitura gratë.

Që nga pavarësia e Maqedonisë e deri më sot, nuk ka pasur asnjë grua si presidente, kryeministre apo kryetare kuvendi. Vetëm dy gra kanë qenë ushtruese detyre si kryeministre dhe kryetare kuvendi për më pak se një muaj. Edhe përfaqësimi i grave në legjislativ dhe ekzekutiv lë për të dëshiruar, ndërsa raportet ndërkombëtare vazhdimisht e kanë kritikuar vendin në këtë drejtim.