Bustet e heronjve maqedonas Gjoce Stojçevsku Ambarçe dhe Todor Xhipovski Merxhan, që u larguan nga qendra e qytetit të Tetovës në vitin 2007 janë vendosur përkohësisht në oborrin e Muzeut Përkujtimor kushtuar Partisë Komuniste të Maqedonisë në lagjen Dy Pishat në Tetovë.

Nga Komuna e Tetovës dolën me një deklaratë duke u distancuar për vendosjen e tyre. Zëdhënësja e komunës thotë se përgjegjës për këtë çështje është qeveria e udhëhequr nga kryeministri teknik Talat Xhaferi.

“Të gjithë duhet të kuptojnë se toka ku janë vendosur bustet e luftëtarëve maqedonas nga lufta e dytë botërore janë pjesë e muzeut, dhe përgjegjës për këtë janë nga qeveria e udhëhequr nga Talat Xhaferi, më saktësisht ministria si themeluese e këtij institucioni nacional që i bie se më mënyrë ilegale i ka vendosur kryeministri teknik Talat Xhaferi. Ndërkaq leje për këtë jep komuna, dhe komuna për këtë nuk ka dhënë leje pasi nuk ka pasur asnjë kërkesë për vendosjen tyre dhe në këtë rast komuna e procesuon atë që e ka konstatuar inspektorati në terren”, tha Besarta Ramadani, zëdhënëse e Komunës së Tetovës.