Ish nënkryetari i Kuvendit, Hysni Shaqiri, beson se bashkimi i opozitës shqiptare i ka rritur mundësitë për mposhtjen e BDI-së në zgjedhjet e 8 majit.

Në intervistën, në lajmet qendore të televizionit Alsat, Shaqiri tha se bashkërendimi i aktiviteteve politike të opozitës shqiptare është hap shumë pozitiv.

“Shqiptarët do të duhet të bëjmë çmos, kudo që jetojnë që ta luftojnë përçarjen mes vete. Këtë hap që e bëri Aleanca në krye me Arben Taravarin, e mori guximin që ta formojë një bllok opozitar, ky është një hap shumë pozitiv si në rrafshin kombëtar, ashtu edhe në rrafshin politik. Ka krijuar premisa që këto zgjedhje të fitohen nga opozita. Unë këtë bindje e kam. Kë do ta fitojnë? Do ta fitojnë një të keqe, ajo është BDI-ja”, tha Shaqiri.

Sa i përket zgjedhjeve presidenciale, Shaqiri, tha se partitë shqiptare as këtë herë nuk arritën të dalin me një kandidat të përbashkët. Sipas tij, kandidati Arben Taravari meriton mbështetjen e të gjithë shqiptarëve.

“Sa i përket kandidaturave për president, shqiptarët asnjëherë nuk janë koordinuar. E them këtë në aspektin historik. Edhe këtë radhë ndodhi ashtu. Grumbullimi i votave për një kandidat ka qenë në interes të të gjithë procesit zgjedhor, edhe për të bërë diçka më tepër që do të tregonte në njëfarë forme se shqiptarët mund të koordinohen dhe mund të jenë faktor serioz edhe në organizimin e procesit zgjedhor. Unë mendoj se meqë doli i pari Arben Taravari, ai duhet të mbështetej nga të gjithë shqiptarët, pavarësisht përkatësisë partiake”, tha Shaqiri në intervistë në Alsat.