Asambletë studentore universitare në Universitetin “Shën Cirili dhe Metodi”, UEJL, FON, Kolegji amerikan, Universitetet e Manastirit dhe Shtipit dhe Lëvizja “Rezistenca studentore” pasdite nga ora 17:30, nga Qeveria e deri te Ministria e Arsimit dhe Shkencës, së bashku në marsh do të protestojnë për të drejta më të mira.

ASU e UCM-së bëri të ditur se lufta e studentëve është e përbashkët dhe se vetëm të bashkuar do të arrijnë të mbrojnë të drejtat e tyre dhe të përmbushin kërkesat e tyre: ndarjen e mjeteve nga buxheti për kushte më të mira në konviktet e studentëve, përjashtimi i studentëve nga masat kundër krizës, zbatimi i plotë i Ligjit për racionin e studentëve dhe rritja e shumës, barazimi i bursave, ngritja e cilësisë së arsimit dhe digjitalizimi.

“Ju presim të enjten, me rastin e Ditës ndërkombëtare të studentëve, me fillim nga ora 17:30, të dalim të gjithë së bashku, të bashkuar në një marsh të madh studentor, duke filluar nga Qeveria e deri te Ministria e Arsimit, do të përfundojmë marshin tonë dhe do t’i shprehim qartë dhe me zë të lartë kërkesat tona. Ftojmë të gjithë ata që janë në mënyrë aktive të përfshirë në arsim, mes të cilëve gjimnazistët, profesorët, dekanët dhe rektorët të na mbështesin dhe t’i bashkohen marshit. Ejani të luftojmë të gjithë së bashku për të drejtat tona studentore dhe një standard më të mirë studentor”, thuhet në njoftimin e ASU-së të UCM-së.

Më herët, në orën 13:00, Klubi për çështje dhe politika rinore në Parlament do të organizojë takim me Asamblenë studentore universitare, qëllimi i të cilit është hartimi i një plan veprimi për përmirësimin e kushteve në konviktet e studentëve.

Në takim pritet të marrin pjesë drejtorët dhe kryetarët e konvikteve studentore dhe të të gjitha asambleve studentore universitare, deputetë, si dhe përfaqësues të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.