Baza ajrore e NATO-s në Kuçovë u hap e cila do të jetë në funksion të misioneve të Aleancës. Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale pamje nga montimi i tre dronëve luftarakë “Bayraktar” që do të përdoren nga Forcat e Armatosura për misione ushtarake, por do të kenë mundësi të përfshihen dhe në operacione policore dhe civile.

Rama shprehët se dronët “Bayraktar” do të bëjnë fluturimin e parë në ceremoninë e çeljes së bazës së re ajrore të NATO-s sot në Kuçovë.

Me këtë rast do të mbahet një ceremoni e organizuar nga Ministria e Mbrojtjes ku janë të ftuar dhe do marrin fjalën dy përfaqësues të lartë të Aleancës, Stacy Cummings Menaxherja e Përgjithshme e Agjencisë për Mbështetjen dhe Prokurimin dhe gjeneral lejtnant Pablo Sánchez de Lara që është komandanti i Qendrës së Kombinuar të Operacionit Ajror të NATO-s në Bazën Ajrore të Spanjës.

Në këtë ceremoni do të marrin pjesë edhe Presidenti Bajram Begaj, Kryeministrit Edi Rama si dhe ministrat e Mbrojtjes së Maqedonisë, Italisë e Turqisë.

Pas fjalimeve, është parashikuar dhe një spektakël ajror ku do të fluturojnë dy F35, dy F16 dhe 2 Eurofighter për të demonstruar kapacitetet taktike dhe teknike të këtyre avionëve ushtarakë.