Futbollistë që refuzojnë fanellën me numrin 10?! Te Barcelona mundet, veçanërisht nëse ishte Leo Messi që e veshi atë fanellë, jo kushdo. Sipas “Don Balon”, presidenti Joan Laporta do t’ia kishte ofruar atë Frenkie De Jong, mesfushorit të blerë dy vite më parë nga Ajax, por përgjigja ishte negative.

Ka dy arsye kryesore: holandezi nuk dëshiron të ketë ndonjë presion dhe është gjithashtu i lumtur të vazhdojë të mbajë 21-shin e tij, të zgjedhur për nder të gjyshit. Tani të gjitha rrugët, duke përjashtuar goditjet e bujshme të merkatos, çojnë te Philippe Coutinho.

Braziliani mbajti numrin 14 sezonin e kaluar, ndërsa kjo fanellë është caktuar për shqiptarin Rey Manaj në sezonin aktual. Braziliani është pa numër momentalisht, thuhet se I është ofruar “10”, por dhe ai ka kërkuar kohë të mendohet.

Me siguri të mbash mbi shpinë trashëgiminë e Leo Messit te Barcelona nuk është diçka e lehtë. Sidomos në kushtet kur legjenda të klubit, por edhe tifozë, kanë kërkuar nxjerrjen nga qarkullimi të kësaj fanelle, në nderim të ish-kapitenit, që dha gjithçka për skuadrën katalanase.