Në komunikatën e Komunës së Sarajit, informohet se shërbimet komunale, më saktësisht inspektorati komunal ka konstatuar fillim të punimeve në një rrugë në komunën e saj, gjegjësisht në rrugën lokale Sfillare-Rashçe,  që janë të ndërmarra pa asnjë bazë ligjore, pa informuar komunën e Sarajit edhe pse kjo rrugë gjendet në këtë komunë dhe është në kompetencat e vet Komunës së Sarajit. Sipas informacioneve të vet komunës këto aktivitete janë ndërmarrë nga ana e kryetarit të Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov.

“Është joligjore i gjithë aktiviteti dhe për këtë komuna ka ndërmarrë dhe do të ndërmer aktivitete formale- ligjore, në drejtim të informimit të organeve dhe institucioneve kompetente në vend të cilat kanë të bëjnë me këtë rast siç janë, Komisioni për Parandalim të korrupsionit, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe institucionet tjera”, thonë nga Komuna e Sarajit.

Nga atje thonë se kjo nuk është tentativa e parë e njeriut të parë të Shkupit që të ndërhyjë në kompetencat e kësaj komune dhe se vet komuna do të ndërmerr të gjitha aktivitetet ligjore në drejtim të mbrojtjes së të drejtave të saj.