Gjendja e sigurisë në vend është stabile. Nuk ka indikatorë qoftë brenda në kufijtë tonë, qoftë jashtë nga kufijtë në rajonin e afërt dhe më të gjerë nuk ka asnjë indikacion se ai mund të përkeqësohet ndjeshëm deri në nivelin e rrezikimit të integritetit dhe sovranitetit të Republikës së Maqedonisë Veriore. Megjithatë, duhet të kemi parasysh se mund të vijojë periudhë turbulente për shkak pritjes së anëtarësimit të vendit në NATO, si dhe hapjen e mundshme të negociatave me BE.

Këtë e theksoi presidenti Stevo Pendarovski mbrëmë në konferencën për media pas përfundimit të seancës së parë konstituive të Këshillit të Sigurisë të Republikës së Maqedonisë Veriore, ku përfaqësues të shërbimeve dhe ministrive kompetente kanë referuar për situatën e sigurisë në vend dhe rajon me ndikim në dinamikën e brendshme të sigurisë.

“Konkluduam që Republika e Maqedonisë Veriore në 40 deri 50 ditët e ardhshme hyn në një periudhë që mund të jetë e turbulent si në aspektin politik, ashtu edhe në aspektin e sigurisë, sepse në periudhën e ardhshme presim përfundimin e disa ratifikimeve të rëndësishme në lidhje me anëtarësimin tonë në NATO dhe nga mesi i muajit tjetër presim vendimin e Këshillit Evropian për të hapur negociatat inkuadruese me Bashkimin Evropian”, tha Pendarovski.

Sidoqoftë, siç thekson ai, nuk ka asnjë indikacion se ekziston rrezik për sigurinë tonë, dhe se nuk ka trende dhe tendenca të tilla që janë vërejtur nga shërbimet tona në rajon dhe rrethinë që mund të shkaktojnë pasoja të brendshme.

Presidenti Pendarovski thotë se vlerësimi  për mundësinë që periudha vijuese të jetë turbulente është për shkak të shembujve të ngjashëm në rrethinën tonë të afërt kur vendet ishin në prag të anëtarësimit në NATO ose Bashkimin Evropian, dhe, siç tha ai, kjo disa strukturave më të gjera, jo vetëm në rajonin tonë nuk u konvenon.

Sipas tij, në periudhën në vijim duhet t’i kushtohet vëmendje zhvillimit të dialogut Beograd-Prishtinë.

Shefi i shtetit tha se në seancë kanë dakorduar dinamikën e takimeve vijuese të cilat siç tha, do të organizohen çdo tre muaj.