Në Tiranë zbarkuan sot me dhjetëra delegacione të qyteteve më të mëdha të Ballkanit, për të nisur samitin e B-40, Rrjetit të Qyteteve të Ballkanit, që do të zgjasë për tre ditë.

Këtë vit Tirana do të mbajë presidencën e B-40, çka do të thotë se do të jetë përgjegjëse për organizimin e punës ndërmjet qyteteve si dhe nismëtare e projekteve të përbashkëta.

“Qytete anëtare të B-40 janë mbi 54 dhe në agjendë të Tiranës ka dhe anëtarësime të reja që do bëhen gjatë gjithë vitit. Këto ditë do ketë rreth 30-40 qytete të tilla. Nesër shpallet presidenca e Tiranës gjatë samitit. Gjëja e parë që do bëjmë është që do mbyllim vitin si qyteti evropian i sportit në parkun olimpik  dhe më pas një pritje për të gjithë, për t’i lënë mundësi që nesër të ketë punë gjatë gjithë ditës”, tha Anuela Ristani, nënkryetare e Bashkisë Tiranë.

B-40 në parim ka katër shtylla kryesore, bashkëpunimin ndaj krizave dhe ndryshimeve klimaterike, zhvillimin ekonomik dhe kulturor, digjitalizimin e shërbimeve si dhe pjesëmarrjen e bashkëpunimin.

Nga shumë kryetarë bashkie që kanë ardhur në Tiranë për të marrë pjesë nesër në punimet e Samitit të B-40, takimin e pare, Erion Veliaj e pati me kryetaren e Bashkisë së Sarajevës, më të cilën firmosi dhe një memorandum mirëkuptimi.

Po ashtu Veliaj priti në takim dhe kryetarin e bashkisë së Sofjes dhe kryetaren e Podgoricës, më të cilët diskutoi mbi forcimin e lidhjeve miqësore.

Pas Stambollit e Athinës, Tirana është e treta që mban presidencën e B-40. Ky rrjet do të shërbeje si një linjë bashkëpunimi mes qyteteve të Ballkanit. E teksa merr presidencën e B-40 për 2024, Tirana përmbyll sot titullin si Qyteti Europian i Sportit.