Të paktën 4 persona kanë humbur jetën dhe 2 të tjerë rezultojnë të zhdukur në rajonin Emilia Romagna në veri të Italisë si pasojë e përmbytjeve shkaktuar nga moti i keq. 14 lumenj kanë dalë nga shtrati, ndërsa të paktën 5 mijë persona janë evakuuar.

Janë mbyllur disa shkolla në rajon, ndërsa është pezulluar edhe lëvizja e trenave. Prefekti i Ravenës, Castrese De Rosa, e përshkroi situatën në Emilia Romagna si “tragjike”.

“Po punojmë për t’iu përgjigjur thirrjeve për ndihmë, duhet të shpëtojmë njerëz. Shumë janë në çati dhe presin të shpëtohen. Kemi edhe komuna të tëra pa energji elektrike dhe të izoluara plotësisht. Të gjitha bashkitë në provincë janë nën ujë, zona më e prekur është sigurisht Faenza dhe e gjithë Romagna Sant’Agata e poshtme, Castel Bolognese, Solarolo”, tha ai.

Për shkak të kushteve ekstreme të motit, ekipet e shpëtimit që përpiqen të arrijnë në zonat e prekura duhet të jenë shumë të kujdesshëm që të mos rrezikojnë jetën e tyre dhe për këtë arsye operacionet e shpëtimit po ecin me ritme të ngadalta.