Faqja zyrtare e Institutit të Statistikave është sulmuar nga hakerët e “Homeland Justice”. Grupi iranian e mori përsipër sulmin me një postim në Telegram, ndërsa INSTAT njoftoi se prej së mërkurës (31 janar) po punon për ta bërë faqen sërish të aksesueshme me ndihmën e ekspertëve “për të hetuar, identifikuar burimin dhe motivet e sulmit kibernetik”.

Sipas INSTAT, të dhënat e Censit 2023 nuk janë objekt i këtij sulmi, pasi janë ruajtur në sisteme të tjera të dedikuara vetëm për atë qëllim.

“INSTAT informon opinionin publik se në datën 31 janar 2024, sistemet e saj informatike kanë qenë objekt i një sulmi kibernetik të sofistikuar. INSTAT ka reaguar me shpejtësi dhe profesionalizëm për të parandaluar dhe minimizuar dëmet e mundshme nga sulmi. INSTAT ka ndërprerë menjëherë lidhjet e internetit dhe ka aktivizuar protokollet e emergjencës për të siguruar mbrojtjen e të dhënave dhe informacioneve statistikore.

Aktualisht, nga ekzaminimet e para të kryer nga ekspertët e Teknologjisë së Informacionit, disa nga sistemet e INSTAT janë ndikuar nga sulmi. Përgjigja e menjëhershme e INSTAT përfshin ndihmën e ekspertëve kombëtarë të sigurisë kibernetike, të cilët po bashkojnë burimet e tyre për të kryer një hetim të hollësishëm mbi këtë sulm. Objektivat kryesore përfshijnë përcaktimin e shkaqeve themelore të sulmit, vlerësimin e shtrirjes së dëmit dhe hartimin e zgjidhjeve efektive për të zbutur rreziqet e ardhshme.

INSTAT siguron publikun se të dhënat e Censit nuk janë objekt i këtij sulmi pasi janë të ruajtura në sisteme të tjera të dedikuara vetëm për këtë qëllim. INSTAT po bashkëpunon ngushtë me autoritetet kompetente për të hetuar dhe identifikuar burimin dhe motivet e sulmit kibernetik dhe gjithashtu për të rikthyer funksionimin normal të sistemeve të saj informatike dhe për të forcuar masat e sigurisë kibernetike.

INSTAT falënderon publikun për mirëkuptimin dhe mbështetjen e treguar në këtë situatë të jashtëzakonshme. INSTAT vlerëson lartë besimin e qytetarëve dhe partnerëve në punën e saj dhe angazhohet të vazhdojë të ofrojë statistika zyrtare të besueshme, të sakta dhe të pavarura”, shkruhet në reagimin e INSTAT.

Kjo nuk është hera e parë që “Homeland Justice” ka sulmuar faqet e institucioneve në Shqipëri. Më herët është sulmuar edhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), duke ndërprerë shumë shërbime, por edhe faqe të tjera qeveritare. Për shkak të këtyre sulmeve, që nga shtatori i vitit 2022, Shqipëria ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Iranin.