Raportuesi për Maqedoninë në Parlamentin Europian, Thomas Weitz, ka zbuluar se ka qenë cak i sulmeve dhe kërcënimeve të ashpra për jetën, për shkak të raportit të progresit të vendit që u votua në Parlamentin Europian javën e kaluar.

Në një intervistë me Channel 5, Weitz thotë se është i kënaqur me raportin, por dënon fushatën e shpifjes që u zhvillua kundër tij, veçanërisht nga pala bullgare.

Po, isha nën sulm të rëndë, ishte një fushatë e tërë shpifjeje kundër meje. Më quajtën të anshëm, u akuzova se kisha pasur më shumë biseda me Maqedoninë sesa me Bullgarinë. Më akuzuan se isha i korruptuar – tha Weitz.

Ai thekson se numri i tij privat i telefonit u nda në grupet e ekstremit të djathtë në Telegram, gjë që rezultoi në kërcënime serioze.

“Kam marrë kërcënime me vdekje dhe të gjitha llojet e kërcënimeve, dhe kjo vazhdon edhe pas votimit. Fatkeqësisht, kjo është përshkallëzuar plotësisht në Bullgari”, thekson Weitz.