Një delegacion i Maqedonisë së Veriut i kryesuar nga ministri i Punëve të Jashtme Nikolla Dimitrov do të marrë pjesë në Këshillin e 26-të Ministror të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), që nesër dhe pasnesër do të mbahet në kryeqytetin sllovak Bratislavë.

Siç bëri të ditur Ministria e Punëve të Jashtme, në Këshillin Ministror shefat e diplomacive të vendeve anëtare të OSBE-së do të shkëmbejnë mendime për punën dhe aktivitetet e Organizatës në periudhën e kaluar njëvjeçare, në kuadër të kryesimit sllovak.

Në takim pritet që të miratohen edhe një numër më i madh i vendimeve dhe deklaratave të cilat kanë të bëjnë me veprimin në tre dimensionet e Organizatës: politiko-ushtarake, ekonomiko-ekologjike dhe dimensioni human.

Ministri Dimitrov do të ketë fjalim në Këshillin Ministror dhe do t’i prezantojë qëndrimet e Republikës së Maqedonisë së Veriut për çështjet aktuale të agjendës së Organizatës.

Siç bëhet e ditur në kumtesë, në margjinat e Këshillit, Dimitrovi do të realizojë takime me përfaqësues të lartë të institucioneve të OSBE-së, si dhe me ministra të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të Organizatës.