Presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu, ka bërë të ditur se dëshiron ta mbajë Lionel Messin të lidhur me klubin katalonas përgjithmonë dhe ai planifikon që së shpejti të ulet me argjentinasin për të diskutuar për rinovimin e kontratës.

Messi nënshkroi kontratë të re me Barcelonën para dy vjetëve dhe kjo kontratë është e vlefshme deri në verën e vitit 2021, që do të thotë se Messi do të jetë lojtar i Barcelonës të paktën deri sa të bëhet 34-vjeçar, transmeton Gazeta Express.

Argjentinasi nuk është duke e shfaqur asnjë shenjë që po shkon drejt fundit të karrierës. Ai i ka shënuar 42 gola dhe i ka bërë 21 asiste në 39 ndeshje këtë sezon. Bartomeu është duke menduar tashmë për kontratën e dhjetë e ndoshta edhe të fundit për Messin në Camp Nou.

“Ne duam që ai ta ketë një karrierë shumë të gjatë në mënyrë që ta shijojmë atë sa më shumë. Lioneli ka arritur t’i thyejë të gjithë kufijtë. Të gjithë e adhurojnë atë dhe ai duartrokitet në stadiume edhe nga tifozët rivalë”, është shprehur Bartomeu.

“Do të donim ta rinovojmë kontratën e tij, kjo është ideja jonë. Ai është i ri, ju mund ta shihni këtë në paraqitjet e tij, dhe edhe i ka dy vjet në kontratën e tij. Ai është gjithmonë duke u përmirësuar. Besoj se ka shumë vite të tjera karrierë para vetës dhe në ditët e radhës, ne do të ulemi me të në mënyrë që të jetë në Barcelonë edhe për shumë vite të tjera”.

“Messi është njeri i vetëm një klubi. Kjo ka të bëjë me më shumë sesa vetëm çfarë ndodh në fushë – marrëdhënia e tij me Barcelonën do të zgjasë përgjithmonë. Unë e përmend rastin e Peles, i cili qëndroi gjithmonë në Santos. Ne duam që Messi të jetë gjithmonë në Barcelonë, si lojtar apo si i lidhur me klubin”.

Messi veçse është golashënuesi më i mirë në histori të klubit katalonas, me 594 gola të shënuara. Ai e ka kaluar Andres Iniestan për t’u bërë futbollisti i dytë me më së shumti paraqitje për Barcelonën (676). Vetëm Xavi Hernandez (767) ka më shumë se ai.

Që kur Messi debutoi për Barcelonën, klubi ka shijuar më shumë suksese sesa kurdo tjetër në historinë e tyre. Ata i kanë fituar tetë nga 11 titujt e sezoneve të fundit të La ligës dhe katër nga pesë triumfet e tyre në Ligën e Kampionëve kanë ardhur me Messin në fushë.