Një nga projektet më të rëndësishme energjetike në Ballkanin Perëndimor, zgjerimi i linjës së transmetimit 400 kV mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, në zbatim me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe Qeverisë Gjermane, përmes Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW) është drejt përfundimit.
Projekti, ka një vlerë totale prej 67.5 milionë euro, nga të cilat 50 milionë euro janë financim në formë kredie nga KfW në emër të Qeverisë Gjermane; 17.5 milionë euro janë grant të pakthyeshëm nga Bashkimi Evropian përmes WBIF (Instrumenti për Investime në Ballkanin Perëndimor).
Zgjerimi i linjës 400 kV përfshin ndërtimin e dy segmenteve të linjës Elbasan–Fier dhe Elbasan–Qafë Thanë, me një gjatësi të përgjithshme prej 130 kilometrash ndërtimin e nënstacionit të ri 400/220 kV “Elbasan 3”, si dhe rehabilitimin e nënstacionit ekzistues në Fier.
Kjo infrastrukturë do të forcojë ndjeshëm kapacitetin e transmetimit të energjisë elektrike dhe do të krijojë një pikë kyçe lidhjeje me sistemin energjetik të Maqedonisë, duke vendosur një bazë të fortë për tregun rajonal të energjisë elektrike në Ballkanin Perëndimor.
Linja është pjesë e një vizioni më të gjerë për ndërlidhjen e rrjeteve energjetike në rajon, duke siguruar shkëmbim të qëndrueshëm ndërkufitar të energjisë dhe rritje të fleksibilitetit në menaxhimin e prodhimit dhe konsumit.
Sistemi energjetik i Shqipërisë varet gjerësisht nga burimet hidrike, duke e bërë të paqëndrueshëm në kushte të motit të pafavorshëm. Ndërkohë, integrimi i burimeve të reja të energjisë së rinovueshme si dielli dhe era, kërkon një rrjet të përforcuar, të stabilizuar dhe të ndërlidhur me vendet fqinje. Këto nevoja e bëjnë projektin jo vetëm një investim nacional, por një përparësi rajonale.
Comments are closed for this post.