Anija luftarake “Moskva” është fundosur. Lajmin e bën të ditur Ministria ruse e Mbrojtjes. Megjithatë, sipas rusëve, anija nuk u fundos pas sulmit të ukrainasve, por për shkak të “detit të trazuar.”

“Moskva, anija që mban flamurin e Flotës së Detit të Zi, i ishte drejtuar portit kur “deti i trazuar” bëri që ajo të fundosej,” thuhet në njoftimin e ministrisë.

Anija me 510 persona ekuipazh ishte një objektiv i rëndësishëm-simbolik dhe ushtarak dhe ka udhëhequr sulmin detar të Rusisë në Ukrainë.

Ukraina pretendon se ishte ajo që e goditi anijen luftarake me raketat e saj, por Rusia nuk ka përmendur asnjë sulm. Gjatë gjithë të enjtes pati raporte kontradiktore nga Moska, Kievi dhe Pentagoni për atë që ndodhi me anijen, nëse ajo ishte ende e përfshirë nga flakët apo ishte fundosur.