Kandidati për president i VLEN-it, Arben Taravari sot në Shkup tha se ata janë të gatshëm të nënshkruajnë marrëveshje që të realizohet vetingu.

Taravari tha se BDI vazhdimisht e përmend vetingun, por që nuk ndërmori ndonjë iniciativë.

“Përsëri sot e shfrytëzojë rastin t’i them hajdeni ta nisim bile prej sot ta nënshkruajmë vetingun. Ata e përmendin 7-8 vite, sot e kësaj dite në parlament nuk ka ndonjë draft version për vetingun e gjithë politikanëve por edhe të gjithë funksionarëve. Uroj dhe shpresoj që mos i kenë fjalë këto, jo nesër po sot ta nënshkruajmë për një veting”, tha mes tjerash Taravari, raportojnë mediat në Maqedoni.

Propozimi për vettingun është iniciuar nga BDI-ja, më 31 janar të vitit 2020, por dokumenti vazhdon të mbetet në sirtarët e Kuvendit të Maqedonisë.

Projektligji për vettingun është miratuar vetëm në lexim të parë, pasi 16 ditë më vonë është shpërbërë Kuvendi, për shkak të zgjedhjeve parlamentare të prillit. Projektligji parasheh që një agjenci e veçantë të verifikojë integritetin e të gjithë personave që janë nëpër pozita publike.