Shërbimi Suedez i Sigurisë ka përsëritur se Rusia “përfaqëson një kërcënim të madh” për vendin dhe ka paralajmëruar se, në këtë kontekst, pritet një rritje e aktiviteteve të inteligjencës ruse.

“Aktivitetet e inteligjencës ruse dhe aktivitetet e tjera kërcënuese për sigurinë kundër Suedisë mund të rriten”, tha Shërbimi i Sigurisë në Suedi, që ka zbuluar tre sektorë ku Vladimir Putin mund të vendosë objektivin për të kryer veprime spiunazhi dhe sabotazhi.

Këto sektorë janë: sistemet e furnizimit me energji, transporti i furnizimit kritik dhe telekomunikacioni.

“Këta janë sektorë në të cilët sulmet kundër Suedisë mund të shkaktojnë dëme edhe në pjesën tjetër të Evropës”, ka theksuar inteligjenca suedeze, e cila beson se lufta në Ukrainë, që filloi shkurtin e kaluar, ka ndryshuar ndjeshëm paradigmat e sigurisë jo vetëm në nivel kombëtar, por në të gjithë kontinentin.
Në një deklaratë, Inteligjenca Suedeze thekson se Rusia e konsideron vendin nordik jo vetëm si pjesë të Evropës, por edhe si pjesë të Aleancës Atlantike, ndaj pritet që ky lloj aktiviteti kundër sigurisë kombëtare të rritet. Për t’i kryer ato, Rusia mund të përdorë “diasporën ruse, institucionet dhe kompanitë në Suedi, si dhe sulmet kibernetike për marrjen e informacionit”.

Në fund, Shërbimi i Sigurisë në Suedi dha një mesazh të fuqishëm: “Përkeqësimi i situatës së sigurisë çon në një kërcënim më të gjerë kushtetues. Shërbimi i Sigurisë sheh një përhapje më të madhe të teorive të konspiracionit dhe mesazheve antishtetërore, të cilat në afat të gjatë rrezikojnë të cenojnë besimin në institucionet e shoqërisë, vendimmarrjen e politikanëve dhe legjitimitetin e shtetit”.

Kujtojmë se nëntorin e kaluar dy persona u arrestuan në Suedi të dyshuar për spiunazh. Njëri u arrestua për kryerjen e “veprimtarive të rënda të paligjshme” në favor të “një fuqie të huaj”, ndërsa tjetri u arrestua për bashkëpunim në kryerjen e atij krimi, sipas informacioneve nga shërbimet inteligjente të këtij vendi nordik.