Shqipëria konsiderohet një shtet me rreziqe të mesme sa i përket fushës së sigurisë, sipas raportit të fundit të Risk Map Report…

Një raport i fundit, “Risk Map Report 2019”, i përpiluar nga Fondacioni me po të njëjtin emër me seli në Londër, bën të ditur një hartë të rreziqeve politiko-ekonomike, por edhe të fushës së sigurisë. Harta tregon se në varësi të shkallës së rrezikut, shtetet e ekzaminuara marrin notën e riskut “L” (low- rrezik i ulët), “M” (medium – rrezik i mesëm), “H” (high- rrezik i lartë), “E” (extreme – rrezik shumë i lartë).

Shqipëria konsiderohet një shtet me rreziqe të mesme, sa i përket fushës së sigurisë, me asnjë ndryshim nga raporti i një viti më parë. E njëjta panoramë vlerësimi përfshin edhe vendet e tjera të rajonit, si Mali i Zi, Serbia, Maqedonia. Ndërsa Bosnja e Hercegovina dhe zona veriore e Kosoves, përfshihen në zonën  “e verdhë”, të ulët.
Vendet më të rrezikuara, sipas raportit, janë shtetet e Amerikës Latine, ato në Afrikë dhe disa shtete të Emirateve të Bashkuara.

Sa i përket vlerësimit të komponentëve të fushës së sigurisë, konsulentët botërorë tregojnë se në analizë janë marrë në shqyrtim aksione në dëm financiar, fizik, në asetet njerëzore të një kompanie dhe se sa është i gatshëm shteti që të mbrojë këto asete.

Sipas raportit, këto risqe mund të jenë të ndryshme për kompani të ndryshme apo projekte investimi, duke marrë në konsideratë faktorë si sektori i industrisë, kombësia e investitorëve dhe vendndodhja.

Bashkimi Europian

BE-ja do të vazhdojë të përballet me sfida në vitin 2019 – si brenda dhe jashtë, sipas raportit të bërë publik pak ditë më parë. Divergjenca e mendimeve mbi çështjet kryesore, si migracioni dhe niveli i dëshiruar i integrimit, si dhe qëndrimet e qeverive kombëtare në Poloni, Hungari dhe Itali, do të vazhdojnë të ‘shkundin’ unitetin e bllokut. Rritja e vazhdueshme e populizmit, e ndihmuar nga rritja e pakënaqësisë publike me strukturën politike tradicionale, ka të ngjarë të pasqyrohet në zgjedhjet e Parlamentit Europian në maj. Një zhvendosje në përbërjen ose shumicën parlamentare, në mënyrë të pashmangshme do të bënte ndryshime në opinionin e politikave për BE-në si një e tërë.

Ndërsa BE28 zvogëlohet në BE27 pas Brexit dhe marrëdhëniet e ardhshme tregtare me Mbretërinë e Bashkuar mbeten të paqarta, bizneset tregtare në të gjithë Kanalin e Anglisë do të vazhdojnë të përballen me pasiguri rreth mjedisit operativ pas Brexit. Jashtë, tarifat transatlantike do të mbeten një ‘gjemb’ në anën e marrëdhënieve tregtare të BE me SHBA, ndërsa do të lindin mundësi të reja me zbatimin e mundshëm të marrëveshjeve tregtare me vendet aziatike, duke përfshirë Japoninë, Vietnamin dhe Singaporin./monitor