ASH krahu i Ziadin Selës i ka rritur ambiciet dhe kërkon nga BDI 3 deri 5 deputetë për të shkuar me lista të përbashkëta. Kjo me sa duket po i shkakton telashe kreut të BDI-së Ali Ahmeti brenda në parti. Një grup bashkëpartiakësh të tij ka shprehur shqetësim deri te Ahmeti se BDI po u ofron shumë partnerëve potencial të koalicionit. Burimi me të cilin bisedoi TV21 thotë se po përpiqen ta bindin kryesinë e partisë se është më mirë të dalin vetë në zgjedhje, sesa t’u japin shumë deputetë partnerëve të koalicionit, të cilët, nëse do të dalin vetë në zgjedhje, siç thotë burimi, nuk të fitojnë më shumë se 1 apo 2 deputetë.

Po çfarë po kërkon ASh-ja e Selës?

Konkretisht në zonën zgjedhore 6, Aleanca kërkon dy pozita fituese, edhe atë për Ilire Dautin dhe Ilir Demirin. Po në rast se zgjerohet koalicioni, ateherë një deputet do të kërkonte edhe Menduh Thaçi, por edhe Arianit Hoxha. Kjo do t’i kushtonte shumë BDI-së, e cila në rast se shkon vetë në zgjedhje ka gjasa që në zonën 6 e vetme të arrijë minimum 5-6 deputetë. E në rast se shkon me koalicion, ateherë lista do të dukej kështu:

(1) Ali Ahmeti BDI

(2) Faton Ahmeti BDI

(3) Ilire Dauti ASh

(4) (Vend i rezervuar për BDI)

(5) PDSH, Menduh Thaçi (ose djali i tij)

(6) Ilir Demiri ASH

(7) Arjanit Hoxha PDE

(8) (Vend i rezervuar për BDI)

Nëse merren parasysh anketat e fundit, në këtë varijant BDI në zonën 6 do të fitonte 3 deri në 4 deputetë, ndërsa të tjerët do të ishin të partnerëve të koalicionit. Prandaj në BDI ka shqetësim dhe revoltë.

Njëjtë është edhe në zonën 5, ku bartës i koalicionit flitet të jetë Ziadin Sela. Burime të TV21 tregojnë se në Strugë do të ketë revoltë tek strukturat e integristëve, ndërsa në degët e tjera, kjo situatë ndoshta mund të menaxhohet, thonë për TV21 burime partiake.

Telashe ka edhe në zonën zgjedhore 2, ku partia e Selës kërkon pozitën e 2-të, më konkretisht për Elmi Azirin. “Luftë” brendapartiake në BDI ka edhe për bartësin, edhe pse Arbër Ademi duket qe ka gjasat më reale që të udhëheqë listën për zonën zgjedhore 2, për të cilën në lojë është edhe Ilir Hasani, po me gjasa minimale. Në rast se BDI shkon me liste te perbashkët të koalcionit, atëherë në lojë do të ishte edhe Basri Bajrami i partisë PDE, numer 4 ose 5 në listë.

Ziadin Sela në prononcim për media tha se pret të konstituohen organet e partisë, që më pas të fillojnë negociatat. Nga partia e Arjanit Hoxhes për TV21 ditë më parë, të pyetur rreth koalicionit, thanë se do të njoftojnë kur të ketë vendim konkret.

Javën e ardhshme pritet të konkretizohen gjërat, derisa në BDI vazhdon presioni ndaj kryetartit Ali Ahmeti që në zgjedhje të shkojnë vetë dhe mos të bëjnë pazare me partitë e tjera.