Kandidati shqiptar për president të Maqedonisë së Veriut Blerim Reka ka folur rreth kundërshtimeve ndaj përfshirjes së tij në garën për udhëheqës të shtetit.

Reka ka thënë në televizionin T7 se është e pakuptimtë deklarata e kryeministrit maqedonas Zoran Zaev se shqiptarët s’mund t’i mbajnë të gjitha postet udhëheqëse në Maqedoninë e Veriut. Sipas Rekës askund nuk është e shkruar se një gjë e tillë s’mund të ndodhë.

Të tri postet udhëheqëse, Republika e Maqedonisë së Veriut duhet t’i ketë dhe mund t’i ketë shqiptare”,ka deklaruar Blerim Reka, Kandidat për President.

Ai është shprehur i bindur se do të jetë presidenti i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Reka ka thënë se partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut e kundërshtojnë më shumë sesa ato maqedonase. Megjithatë ai ka theksuar se ka përkrahje të madhe të votuesve shqiptarë që do të votojnë për të. Madje, Reka ka thënë se pret të marrë shumë vota edhe nga maqedonasit të cilët sipas tij e konsiderojnë atë njeri të ndershëm.