Kuvendi i Shqipërisë prej sot edhe zyrtarisht është pa opozitë, pasi lideri i Partisë Demokratike opozitare, Lulzim Basha deri te Presidenca e Parlamentit i dorëzoi deklaratat e nënshkruara nga deputetët me të cilat ata heqin dorë nga mandatet e deputetëve.

Basha i dorëzoi deklaratat pas përfundimit të protestës para Parlamentit, në të cilën ishte kërkuar dorëheqje e kryeministrit Edi Rama dhe shpallja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Prej para Parlamentit, pjesëmarrësit e protestës të kryesuar nga liderët e partive politike opozitare, u drejtuan drejtë Qeverisë, në afërsi të së cilës janë edhe hapësirat e punës së Presidencës në Shtëpinë Ligjvënëse.

“Sot edhe zyrtarisht hoqëm dorë nga Parlamenti i kriminalizuar. Prej sot edhe ne jemi qytetarë të thjeshtë. Luftën e vazhdojmë deri në rrëzimin e kriminelit Rama -Maduro i Ballkanit. Rama largohu së bashku me bandën tënde kriminale. Shqipëria meriton të ardhme më të mirë me vullnetin e shfaqur lirshëm në zgjedhjet evropiane. Liri, demokraci, fitore. Zoti e bekoftë Shqipërinë”, porositi Basha para qytetarëve të tubuar pas dorëzimit të deklaratës, pas çka protesta përfundoi me intonimin e himnit kombëtar.

Paraprakisht, në protestën e opozitës së bashkuar shqiptare, e cila filloi në orën 10:00 me fjalime të shkurtra, deputetët publikisht hoqën dorë nga mandatet me thirrjen “Rama largohu”. Të fundit u prononcuan liderët e Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), Monika Kryemadhi dhe Basha, të cilët gjithashtu janë deputetë.

Të dy porositën se nuk ka kthim, se asnjëherë nuk do të pranojnë kryeministër me vota të blera, se mandatet iu takojnë qytetarëve të cilët nuk meritojnë Qeveri si ajo e Ramës dhe bënë thirrje për fitore në zgjedhjet.
Basha me porosi edhe deri te “diplomatët dhe miqtë e huaj” se opozita nuk është popull i dhunshëm. Ai tha se pas dorëheqjes, kryeministri Rama duhet të dalë para faqes së drejtësisë dhe e ftoi policinë që të mos lejojë që “krimineli Rama ta lëshojë vendin”.

“Qytetarë të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë në anën tuaj dhe me Ju deri në fitore. Zoti e filloi udhëtimin pranveror shumë herët dhe me ndihmën e Zotit shqiptarët e bashkuar e filluan udhëtimin e shpresës. Ky udhëtim, i cili filloi me aleancën më të madhe të shqiptarëve në çlirimin e 29 vjetorit dhe pluralizmit, do të vazhdojë pa ndërprerje deri në largimin e Qeverisë së krimit, për krimin dhe me krimin. Rama largohu ! Rama shko! Le të dëgjojë bota”, porositi mes tjerash Basha.

Përndryshe, për dallim të protestës së mëparshme, që u mbajt të shtunën, sot rreth Parlamentit kishte prani më të madhe të policisë, Gardës kombëtare dhe të njësiteve speciale policore.

Rreth Parlamentit ishin vendosur shtatë kordonë të policisë, prej të cilëve nga tre me pjesëtarë të njësitit për intervenim të shpejtë dhe njësitit special “Shqiponja”.

Masat e tilla ishin ndërmarrë për shkak të informacioneve të policisë se është planifikuar sulm i dhunshëm në Parlament.

Sot para kordonit të policisë ishte vendosur sigurim nga ana e organizatorëve të protestës, me lentë të bardhë në krahun e majtë.