Meqë shifrat janë tani, pres që e para në raundin e dytë të jetë profesoresha Gordana Siljanovska Davkova dhe e dyta presidenti aktual Stevo Pendarovski. Pres që diferenca pas raundit të parë të jetë më e madhe se 100.000 vota për Siljanovskën ndaj Pendarovskit, tha kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, në emisionin Klan Direkt që transmetohet në Tv Klan.

Sipas Mickoskit, kjo do të thotë shumë në drejtimin se si do të ecin gjërat në mes të dy raundeve, sepse siç tha ai “raundi i dytë është në të njëjtën ditë me zgjedhjet parlamentare dhe rezultati i raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale do të ndikojnë në shumë mënyra në vetë fushatën dhe në atmosferën mes dy raundeve, por edhe në zgjedhjet parlamentare të 8 majit”.

Mickoski foli edhe për pritjet nga zgjedhjet parlamentare, të cilat do të mbahen së bashku me rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.

Pres një fitore bindëse të VMRO-DPMNE-së pa hezitim. Nëse zgjedhjet do të mbaheshin tani javën e ardhshme, do të ishim nga 53 deri në 56 deputetë. LSDM do të ishte këtu diku rreth 25, partitë politike shqiptare do të ndaheshin diku mes 25 dhe 27 dhe pjesa tjetër do të ishte pjesë e portofolit të ZNAM dhe të Majtë. Ky është rezultati që pres nëse do të kishim zgjedhje javën e ardhshme, tha Mickoski.