Maria Ressa, një gazetare dhe fituese e çmimit Nobel, e konsideruar gjerësisht si “figura e shtypit të lirë në Filipine”, është liruar nga akuzat për evazion fiskal. Ajo ka folur menjëherë pas vendimit duke thënë se akuzat kundër saj dhe medias Rappler, kanë qenë të motivuara politikisht dhe për të ndaluar gazetarët që të bënin punën e tyre.

Ressa, shefeja ekzekutive dhe bashkëthemeluesja e Rappler u nderua me çmimin Nobel për paqen në vitin 2021 për punën e saj për mbrojtjen e lirisë së shprehjes.

Që nga viti 2018, Ressa është përballur me një sërë akuzash civile dhe penale. Që nga fillimi i tij, Rappler ka mbuluar tema si abuzimi me pushtetin nga Duterte, “lufta kundër drogës” dhe përdorimi i mediave sociale nga mbështetësit e tij për të përhapur dezinformata.

Ressa pritet të apelojë vendimin e gjykatës kundër dënimit me gjashtë vite burg për shpifje, ndërsa shumë e kanë quajtur vendimin e së mërkurës një fitore vendimtare për lirinë e shtypit.

Peizazhi mediatik në vend, gjatë disa viteve të fundit ka qenë i dominuar nga “lajmet e këqija, dëshpërimi dhe frika”, me gazetarët që shpesh punojnë në vende të të pasigurta.

Që nga viti 1992, 94 gazetarë janë vrarë në vend. Filipinet renditen në vendin e 147 nga 180 vende në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit 2022.