I dërguari i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, i shoqëruar nga i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe këshilltarët e lartë të liderëve të Gjermanisë (Jens Plotner), Francës (Emanuel Bonne), Italisë (Francesco Talo), janë takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Pas takimit, i cili ka zgjatur më shumë se një orë në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, emisari Lajçak, në një deklarim për media tha se delegacioni pati një një diskutim të thellë dhe substancial me kryeministrin Kurti dhe zëvendësin e tij Besnik Bislimi në atë se si “të avancohen marrëdhëniet për normalizim midis Kosovës dhe Serbisë dhe të ketë progres në zbatimin e marrëveshjeve të mëhershme”.

Lajçak tha se bashkë me Escobarin dhe këshilltarët e liderëve të Gjermanisë, Francës dhe Italisë, dëgjuan me kujdes këndvështrimin e kryeministrit Kurti dhe gjithashtu shqetësimet e tij me çështjen e sigurisë në veri të Kosovës.

Ai tha se sulmi terrorist ndaj Policisë së Kosovës nga individë të armatosur, është qartë i paprecedentë dhe se “të gjithë pjesëmarrësit duhet të sillen para drejtësisë”, ndërsa për këtë theksoi se presin “bashkëpunimin e plotë të Serbisë dhe veprime konkrete në këtë aspekt”.

“Ngjarjet e 24 shtatorit gjithashtu shumë qartë nënvizuan se deeskalimi dhe normalizimi nga të dyja palët është tani më urgjent se kurrë dhe çdo kusht apo vonesë është e papranueshme. Gjithashtu, presim që Kosvoa dhe Serbia të përmbushin të gjitha obligimet e dala nga dialogu”, theksoi Lajçak.

Lajçak tha se Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar një marrëveshje normalizimi gjatë këtij viti dhe se kryeministri Kurti ka përgjegjësi në progresin e normalizimit të marrëdhënieve “nëse Kosova do të bëjë progres drejtë BE-së”.

“Këtu dua të nënvizoj nevojën për të lëvizur përpara në themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë, pa vonesa të mëtejshme. Pa këtë, nuk do të ketë progres në rrugën evropiane të Kosovës”, theksoi Lajçak.

Pas qëndrimit në Kosovë, diplomatët e huaj do të qëndrojnë për vizitë zyrtare gjatë ditës edhe në Beograd, ku do të zhvillojnë takim me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

Takimi i fundit mes Kurtit dhe Vuçiqit është mbajtur më 14 shtator të këtij viti, ku palët kishin dështuar të pajtoheshin për një plan për sekuencimin e zbatimit të marrëveshjes, gjë për të cilën BE-ja e kishte lënë fajtore palën kosovare.

Ndërkohë, BE-ja po vazhdon t’i mbajë në fuqi masat ndëshkuese ndaj Kosovës dhe është duke shqyrtuar vendosjen e masave ndaj Serbisë, nëse dëshmohet lidhja e saj me sulmet e fundit në Banjskë të Zveçanit, në veri të Kosovës, më 24 shtator, ku u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku.

Përgjegjësinë për sulmin e 24 shtatorit e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.