Besohet se një shkencëtare indoneziane është ngrënë për së gjalli nga një krokodil, i cili e ka tërhequr brenda rrethojës përderisa ajo po e ushqente në laboratorin ku punonte. Deasy Tuwo, 44-vjeçare, u sulmua nga një krokodil që është mbi pesë metra i gjatë.

Raportohet se ajo ka qenë duke e ushqyer me mish krokodilin që ndodhej në një pishinë të rrethuar brenda laboratorit. Punëtorët e laboratorit i kanë gjetur mbetjet e trupit të shkencëtarës në nofullat e krokodilit. Zyrtarët besojnë se krokodili ka qëndruar në këmbët e pasme dhe ka kërcyer mbi 2.5 metra për ta rrëmbyer shkencëtaren.

Krokodili i quajtur Merry ka qenë i njohur për stafin për shkak të sulmeve të mëhershme ndaj krokodilëve tjerë, por nuk ka ekzistuar frika që do t’i sulmonte njerëzit. Ky zvarranik ushqehet vazhdimisht me pula, peshq dhe lloje tjera të mishit.

Ekipi i shpëtimit është përpjekur ta largojë trupin e shkencëtarës nga uji, por dështuan për shkak se krokodili rezistonte dhe sulmonte. Më vonë, ai është izoluar dhe është dërguar për teste mjekësore për ta vërtetuar ngrënien e pjesëve të trupit të shkencëtares, shkruan “Daily Mail”.