Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, urdhëroi zyrtarët të zhvillojnë një fushatë më të ashpër për të parandaluar përhapjen e pandemisë Covid-19.

Sipas Associated Press, Jong-un është shprehur se duhet të parandalojmë pandeminë në “stilin tonë”. Kjo deklaratë e tij vjen pasi ai refuzoi vaksinat kundër COVID-19 të ofruara përmes programit të imunizimit të mbështetur nga OKB.

Gjatë një takimi të Byrosë Politike të enjten, Kim tha se zyrtarët duhet “të kenë parasysh se shtrëngimi i parandalimit të epidemisë është detyra me rëndësi parësore e cila nuk duhet të lirohet as edhe një moment,” njoftoi të premten Agjencia Qendrore Koreane e Lajmeve.

Më tej, lideri i Koresë së Veriut theksoi nevojën për mjete materiale dhe teknike për parandalimin e viruseve dhe rritjen e kualifikimeve të punonjësve shëndetësorë.

Kim më parë u bëri thirrje koreano-veriorëve që të përgatiten për kufizimet e zgjatura të COVID-19, duke treguar se kufijtë e kombit do të qëndrojnë të mbyllur pavarësisht përkeqësimit të kushteve ekonomike dhe ushqimore.

Që nga fillimi i pandemisë, Koreja e Veriut ka vendosur karantinë dhe mbyllje kufijsh për të parandaluar shpërthimet e pandemisë.