Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta mirëpresin Botërorin e klubeve në futboll në vitin 2025. Ky turne i FIFA-s për herë të parë do të ketë 32 skuadra pjesëmarrëse.

Real Madridi, Manchester City dhe Chelsea tashmë kanë siguruar vendin në këtë turne si fitues të fundit të Ligës së Kampionëve të Evropës. Botërori i klubeve mbahet në version të zgjeruar dhe do t’i testojë stadiumet një vit përpara Kampionatit Botëror.

SHBA-ja do të jetë bashkorganizatore e Kupës së Botës 2026 me Kanadanë dhe Meksikën, ndërsa FIFA ka gjasa të mëdha që disa ndeshje të Botërorit të klubeve t’i zhvendos në këto vende. Botërori i klubeve do të zhvillohet në periudhën qershor-korrik të vitit 2025. SHBA-ja u zgjodh organizatore e këtij turne të premten gjatë një takimi të Këshillit të FIFA-s.

FIFA vlerësoi “pozicionin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës si një lider i dëshmuar në organizimin e ngjarjeve globale”.

“Botërori i klubeve do të jetë kulmi i elitës profesionale të futbollit. Me infrastrukturën e duhur dhe të gjitha gjërat në vendin e tyre, përfshirë këtu edhe interesimin e jashtëzakonshëm, besoj se do të jetë një turne madhështor. Po ashtu SHBA-ja është mikpritës ideal për edicionin e parë të këtij turneu të ri global”, ka theksuar presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino.

Ekipi nga MLS, Seattle Sounders, është gjithashtu pjesëmarrës në Botërorin e klubeve si kampion i vitit 2022 i rajonit të futbollit të Amerikës së Veriut (CONCACAF). Amerikanët do ta kenë edhe një ekip tjetër në këtë ngjarje që mbahet pas dy vjetësh, për shkak se janë mikpritës.

Ekipet e njohura evropiane kanë vizituar SHBA-në për ndeshje miqësore për vite me radhë, por turneu i zgjeruar i klubeve do t’u japë tifozëve një shans të rrallë për të parë 12 prej ekipeve evropiane, duke luajtur ndeshje zyrtare. FIFA tha në mars se rruga bazë e kualifikimit për klubet ishte fitimi i një kampionati kontinental në cilindo nga katër vitet – 2021 deri 2024 – në pesë konfederatat kryesore: Afrikë, Azi, Evropë, Amerikë e Veriut dhe Amerikë e Jugut.

Evropa me 12 ekipe dhe Amerika e Jugut me gjashtë janë kontinentet e vetme me më shumë se katër ekipe në Botëror. Vendet shtesë duhet të jepen sipas renditjes së ekipeve bazuar në rezultatet për një periudhë katërvjeçare në garat kontinentale.

Botërori aktual i klubeve me shtatë skuadrat që janë kampione kontinentale e që luhet çdo vit, nuk krijon ndonjë pengesë për shkak se FIFA ka dashur prej kohësh të organizojë një turne me madhësi tjetër çdo katër vjet. Ky version i zgjeruar në vitin 2025 është një mundësi e madhe komerciale për FIFA-n që të provojë modele të reja transmetimi dhe të nënshkruajë me sponsorë të rinj, duke ofruar qindra miliona dollarë për klubet.

Formati për Botërorin e klubeve që do të zgjasë rreth tri javë ende nuk është vendosur. Një opsion është garantimi që 32 skuadrat të paktën të kenë nga tri ndeshje, duke luajtur në tetë grupe me nga katër ekipe. Fituesit e tetë grupeve më pas mund të kalojnë në fazën çerekfinale, gjë që do të krijonte një turne prej 56 ndeshjesh nëse përfshihet edhe ndeshja për vendin e tretë. Formati aktual vjetor i Botërorit të klubeve do të vazhdojë me një edicion përfundimtar të planifikuar për në dhjetor të këtij viti në Arabinë Saudite.

Rigjallërimi i Botërorit të klubeve ishte prioritet për presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, kur u zgjodh në vitin 2016, por plani i tij i parë u bllokua. FIFA u kthye me një plan të ri të Botërorit të klubeve pasi projekti i Superligës Evropiane, i udhëhequr nga një grup elitar klubesh, dështoi shpejt në prill të vitit 2021 ndërsa shkaktoi trazira intensive për organizatën evropiane të futbollit, UEFA.

Ekipet e tjera të kualifikuara tashmë për Botërorin e klubeve të vitit 2025 janë: Palmeiras (Brazil), Flamengo (Brazil), Monterrey (Meksikë), Leon (Meksikë), Al-Ahly (Egjipt), Wydad Casablanca (Marok), Urawa Red Diamonds (Japoni)) dhe Al Hilal (Arabia Saudite).