Policia e shtetit dhe Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në Shqipëri ka zhvilluar një operacion të gjërë ku nën pranga kanë rënë eksponentë të krimit të organizuar, zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Policisë.

Ministri i Brendshëm Taulant Balla në një postim në rrjetet sociale, e përshkroi operacionin kompleks dhe ka përgëzuar drejtuesit dhe pjesëmarrësit e Policisë së Shtetit në këtë operacion, për profesionalizmin e lartë dhe mbi të gjitha për sigurinë e plotë të informacionit sensitiv deri në finalizimin e operacionit që çoi në arrestimin e të gjithë personave që ndodhen në Shqipëri. Ndërsa vijon puna për gjetjen dhe ndalimin e personave të tjerë që ndodhen jashtë territorit të Shqipërisë.

“Gjej rastin t’i falenderoj dhe përgëzoj prokurorët për besimin dhe bashkëpunimin. Në rrjetën e këtij bashkëpunimi kanë rënë eksponentë të krimit të organizuar, zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Policisë së Shtetit si dhe persona të tjerë bashkëpunëtorë me ta. Ky operacion domethënës është konsolidimi i ngritjes në një nivel tjetër të vullnetit të agjencive tona ligjzbatuese për ta goditur krimin në të gjithë spektrin e tij, në funksion të rendit ligjor në të gjithë territorin”, ka shkruar ministri Balla.

Bëhet e ditur se SPAK ka lëshuar 11 urdhër-arreste për goditjen e një grupi të strukturuar kriminal.

Në kuadër të këtij operacioni është shoqëruar në polici edhe ish-drejtori i Policisë, Erzen Breçani, dhe është shpallur në kërkim djali i tij Eralbi Breçani. Erzen Breçani akuzohet për përkrahje të autorit të krimit dhe pastrim parash, ndërsa djali i tij për trafik droge dhe pastrim parash.

Urdhërarresti është lëshuar edhe për Shefin e Krimeve në Komisariatin numër 6 në Shqipëri, Dedan Gjoni.