Më pak se dy javë më parë, Dmytro Pidruchnyi po garonte në Lojërat Olimpike Dimërore me ngjyrat kombëtare të Ukrainës. Tani ai ka veshur një uniformë ushtarake dhe po i ndihmon vendit të tij në luftën ndaj Rusisë.

Ai u kthye në shtëpi nga Pekini javën e kaluar, pak para se Rusia të fillonte pushtimin e Ukrainës.
“Unë jam aktualisht në qytetin tim të lindjes Ternopil duke shërbyer në Gardën Kombëtare të Ukrainës. Kjo foto është bërë gjatë alarmit të ajrit”, shkroi Pidruchnyi në “Instragam”.

Pidruchnyi është një nga shumë atletët që u janë bashkuar forcave të armatosura të Ukrainës. Pidruchnyi është një kampion bote në sportin e biatlonit.

Kur Rusia filloi sulmet ndaj Ukrainës, edhe tenisti Serhiy Stakhovskiy u rikthye në vendlindje nga shtëpia e tij në Hungari.

“Unë ende nuk jam i sigurt se si e kam bërë atë. E di që është jashtëzakonisht e vështirë për gruan time. Fëmijët e mi nuk e dinë që unë jam këtu. Ata nuk e kuptojnë luftën. Ata janë shumë të vegjël për të kuptuar se çfarë po ndodh”, tha ai për BBC të martën.

Ish-kampioni i botës në boks, Vasyl Lomachenko, gjithashtu i është bashkuar një njësie të mbrojtjes territoriale. Luftës i është bashkuar edhe kampioni i botës në peshën e rënda të boksit, Oleksandr Usyk, i cili është me origjinë nga Krimea, të cilën Rusia e aneksoi në vitin 2014.

Dy ish-kampionët e tjerë të boksit, Vitali dhe Wladimir Klitschko, janë pjesë e luftës gjithashtu.