Parlamenti dhe Këshilli Evropian kanë miratuar qëndrimet për Reformën dhe Planin e Zhvillimit të Ballkanit Perëndimor, ndërsa pritet që deri në fund të muajit prill të përfundohet procedura për miratimin e kësaj rregullative që do t’u mundësojë vendeve të rajonit qasje në instrumentin e ri financiar me vlerë prej 6 miliardë euro që do të financojë zbatimin e reformave, të ngjashme me instrumentet në dispozicion të shteteve anëtare.

Nga Ministria e Punëve të Jashtme e RMV-së bëjnë të ditur se ministri Bujar Osmani dhe sekretarja shtetërore në Sekretariatin për Çështje Evropiane Drita Abdiu Halili sot në takim me Misionin e BE-së në vend diskutuan për përshpejtimin e procesit të integrimit të RMV-së në BE.

“Me mbështetje pothuajse unanime, eurodeputetët treguan përkushtim të qartë ndaj politikës së zgjerimit dhe proceseve reformuese që do të forcojnë vlerat e BE-së në rajon, duke u fokusuar në transparencën, sundimin e ligjit dhe integrimin ekonomik”, informojnë nga MPJ.

Nga atje thonë se pjesa tjetër e planit i dedikohet qasjes së kompanive nga Maqedonia e Veriut dhe rajonit në tregun unik të Unionit, por edhe përfitimeve për qytetarët e vendit.

Plani i ri për rritje ekonomike në vendet e Ballkanit Perëndimor u miratua nga Komisioni Evropian me 8 nëntor 2023 dhe kap vlerën e 6 miliardë eurove, i njëjti bazohet në katër shtylla. E para, forcimi i integrimit ekonomik në tregun unik të BE-së. E dyta, forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal. E treta, përshpejtimi i reformave fundamentale. E katërta, rritja e asistencës financiare për të ndihmuar reformat.

Për këtë plan samit u mbajt më 22 janar në Shkup dhe me 19 shkurt në Tiranë ku u miratua Deklarata e përbashkët e liderëve, në drejtim të bashkëpunimit të mëtutjeshëm institucional ndërmjet shteteve, duke specifikuar hapat dhe nismat konkrete për realizimin e këtij qëllimi të rëndësishëm për cilësinë e jetës së qytetarëve në gjithë rajonin.