Para një jave autoritetet financiare bllokuan llogarinë rrjedhëse të komunës së Gostivarit. Nga sot e tutje, për shkak të rrethanave të krijuara si pasojë e përhapjes së virusit Korona nuk do ketë përmbarime nga llogaritë bankare të komunave, me propozimin që kemi bërë deri tek Qeveria e cila edhe ka miratuar të njejtin.

Ligji për përmbarimin pezullohet deri në fund të qershorit dhe në këtë mënyrë ndihmohen, përveç qytetarët, edhe komunat e vendit për realizimin e obligimeve të tyre operative-rrjedhëse që të mund të ndërmarrin të gjitha aktivitete e nevojshme për luftimin e pandemisë së Covid-19.

Ligji i Përmbarimit pezullohet nga data 1 Prill e deri në mbarim të muajit Qershor. Konform kësaj, agjentët e përmbarimit janë të detyruar të ndërpresin veprimet e zbatimit.

Huadhënësit dhe kryerësit e operacioneve të pagesave, po ashtu ,obligohen të ndalojnë veprimet e tyre, sipas urdhëresave të lëshuara nga agjentët e përmbarimit deri në fund të muajit Qershor. Përjashtim bëjnë vetëm rastet kur mjetet janë depozituar tek agjentët të përmbarimit si dhe rastet që kanë të bëjnë me alimenatcionet për fëmijët që jetojnë tek prindërit e vetëm.

Në seancën e ditës së Martë, Qeveria miratoi paketën e dytë të masave ekonomike me qëllim të zbutjes dhe përballimit të pasojave si rezultat i pandemisë së virusit Korona.