“Kandidimi im ka simbolikën e bashkimit të shqiptarëve dhe kjo shihet edhe nga fjala që unë e përdor nga besë-lidhja që vjen nga dy subjektet politike që përkrahën kandidimin tim. Me këtë shqiptarët do ta zhdukin kompleksin e inferioritetit. Deri tani na thuhet se këto partitë që janë në pushtet ofrojnë shoqëri për të gjithë por ne duam shtet për të gjithë, ndërsa sot shteti nuk është për të gjithë”, tha kandidati për president, Blerim Reka në takimin e sotëm në kuadër të fushatës së tij presidenciale, me mijëra qytetarë të Haraçinës.

Reka i bëri thirrje qytetarëve të Haraçinës që të mos pranojnë oferta që janë të kamufluara për shkak se ato janë të dëmshme për shqiptarët.

“Nuk duhet të bëhemi makineri votuese, ju keni fuqinë që të zgjidhni se kë dëshironi të votoni: vëllanë apo komshinjtë. Të tjerët ju thonë se duhet ta votoni komshinjtë në vend të vëllait, unë ju them votoni vëllanë. Ju nuk do të tradhtoni mundin dhe veprën që e arritët ne 2001” nënvizoi Reka duke shtuar se Haraçina kreshnike, e cila nuk u përkul në vitin 2001 nuk do të përkulet as në vitin 2019.

Gjatë takimit kandidati presidencial Blerim Reka, është shoqëruar edhe nga lideri i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela si dhe kreu i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, parti të cilët e përkrahin kandidaturën e tij .

Lideri i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela theksoi se si jemi të përcaktuar për të ndërtuar sistem të mirëfilltë të qeverisjes, së bashku me votat e shqiptarëve.

“Ta fuqizojmë votën e shqiptarëve, që të mos varemi nga udhëheqësit politkë qeveritarë. Diskriminimi duhet të marrë fund dhe Prof. Blerimi Reka do ta ndalojë këtë rrugëtim politik”, tha Sela duke shtuar se Reka, është këtu për të treguar se ne jemi shqiptarë, do të jetojmë dhe do të vdesim si shqiptarë.

“Apelojë, mos t’i dëgjojmë partitë e tjera politike dhe ftesat e tyre për kandidimin e liderëve të tyre. Të mos e turpërojmë themelin dhe pragun e shtëpisë tonë dhe këtë ta dëshmojmë me 21 prill kur duhet ta votojmë Blerim Rekën”, tha Sela.

Në anën tjetër, kreu i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, saktësoi se sa shumë është e rëndësishme që në këto zgjedhje të votojnë një kandidat shqiptarë i cili seriozisht është futur në këtë garë për të sfiduar dy kandidatët e tjerë.
“Kandidimi i Blerim Rekës do të mbetet në memorien historike, që edhe në këtë cikël zgjedhor, do të duhet t’ju tregojmë të gjithëve se çështjet shqiptare në Maqedoni nuk janë të mbyllura. Mjaft më shqiptarët të votojnë një kandidat maqedonas, mjaft më treguam që jemi evropianë duke votuar të tjerët. Është koha që edhe të tjerët të tregojnë se janë evropianë duke votuar një shqiptar siç është Prof. Blerim Reka. Dhe, Reka nuk është në këtë garë sepse është shqiptar, por është në këtë garë sepse është kandidat më i mirë se dy kandidatët e tjerë në çdo aspekt”, u shpreh Kasami.