Posta e Republikës së Maqedonisë ka lansuar pullën postare ku do të jetë e stampuar fotografia e aktorit të mirënjohur shqiptar, Luran Ahmeti, i cili ka ndërruar jetë në vitin 2021, i prekur nga virusi COVID-19.

Luran Ahmeti ishte aktor shqiptar nga Maqedonia e Veriut. Në vitin 1999 diplomoi në Fakultetin e Artit Dramatik nga Universiteti Shën Kirili dhe Metodi, Shkup. Me rolet e shumta në shfaqet teatrale në Teatrin Shqiptar, Shkup la gjurmë në artin dramatik shqiptar dhe shtoi vlerë në kulturën shqiptare. Luajti në filma artistik dhe në seriale të njohura rajonale e botërore.

Profesoresha e letërsisë dhe veprimtarja politike në RMV, Vjollcë Berisha, e ka vlerësuar si një gjë të mirë realizimin e pullës postare me aktorin e ndjerë, Luran Ahmeti.

Postimi i plotë i profesoreshës Berisha:

Lurani ynë i shtrenjtë do të fluturojë mbi zarfet me letra. Ky është fluturimi i tij i sërishëm. Mijëra duar do të hapin zarfet ku feks buzëqeshja e tij miqësore. Do të jetë i stampuar në gëzimet, pritjet, hidhërimet e shpresat që sjellin letrat e cilësdo natyre qofshin. Do të lidhë zemra e do të shumëfishohet me të gjitha kumtet që do t’i shoqërojë me dritën e syrit të tij që nuk diti të shuhet.

Postat e Maqedonisë ndezën një fanar më shumë në kujtesën tonë kolektive. Mirënjohje për Bujare Abazin dhe ekipin e saj.

Jemi kaq zemra që e duam pa mbarim Luranin-mik, jemi kaq shuplaka që e duartrokasim Luranin-artist, hapat e tij që kumbojnë skenës së Teatrit Shqiptar me çdo hapje perdeje.