Nëse vozitni nën ndikimin e alkoolit, i jepni gaz dhe bëni shkelje të rënda të trafikut, përveç gjobës do t’ju konfiskohet edhe automjeti. Nga janari i vitit të ardhshëm do të fillojë funksionimi i sistemit “Qyteti i Sigurt”. Ministri Toshkovski, në raportin për punën e bërë gjatë vitit të kaluar, tha se janë të nevojshme ndryshime në gjashtë deri në shtatë ligje dhe se procedura për secilin prej tyre ka filluar.

“Qytetarët duhet të jenë të vetëdijshëm se në të ardhmen, për ata që vozisin në mënyrë veçanërisht të papërgjegjshme dhe jashtë çdo arsyeshmërie, do të merren masa më të ashpra, përfshirë edhe konfiskimin e automjetit”, tha Pançe Toshkovski, ministër i Brendshëm.

Ndryshimet nuk lidhen vetëm me implementimin e sistemit, por edhe me vendosjen e rregullit në trafikun rrugor, thotë Toshkovski. Ai shton se edhe pse Kodi Penal nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me sistemin “Qyteti i Sigurt”, ndryshimet e tij dhe dallimi i qartë mes veprës penale dhe shkeljes janë thelbësore për veprim parandalues. Për sistemin “Qyteti i Sigurt” është punuar mbi dhjetë vjet dhe ka kushtuar shumë para.

“Nuk mund t’ju jap shifrën e saktë tani, sepse nuk i kam të dhënat, por sigurisht që janë shumë para. Dhe është turp që deri tani nuk është vënë në funksion siç duhet”, deklaroi Pançe Toshkovski, ministër i Brendshëm.

Sipas analizave të Këshillit Republikan për Sigurinë në Trafikun Rrugor, numri i të vdekurve në rrugët e vendit rritet vit pas viti. Në 2021 u regjistruan 116 të vdekur, ndërsa në 2024 numri arriti në 142. Kjo vendos Maqedoninë shumë mbi mesataren evropiane. Në Maqedoni në rrugë vdesin mesatarisht 68 persona për milion banorë, ndërsa mesatarja në BE është 46 të vdekur në aksidente trafiku.