Beth Craigs e ka ditur që mbushja e buzëve  do të jetë një procedurë relativisht e dhimbshme, mirëpo gjithsesi kishte vendosur të bënte këtë përmirësim për t’u dukur më bukur, shkruan Dailymail, transmeton Gazeta Express.

24 Orë pas procedurës, 21- vjeçarja ishte në një gjendje agonie dhe e vërejti se diçka nuk po shkon. Buzët e saj filluan të enjten dhe ajo nuk mund as të flinte, për shkak të dhimbjes së madhe. “Kisha një dhimbje të tmerrshme, e cila po përhapej nëpër faqe dhe nofull”, tha 21- vjeçarja.

Beth është një terapiste e bukurisë, ajo mori vesh për një ofertë të mbushjes së buzëve për vetëm 120 dollarë dhe vendosi t’i nënshtrohej procedurës. Pas simptomave të përjetuara ajo ishte konsultuar me një doktor, i cili i tha se kjo ënjtje nuk ishte normale dhe se mbushësit i kishin bllokuar qarkullimin e gjakut në pjesën e buzëve dhe në një pjesë të fytyrës. Ai e trajtoi me steroid dhe pas 4 orëve arriti t’ia heq injektimet.

Përkundër botoksit, injektimi me mbushës përmban acid hialurik. Disa sallone të bukurisë, përdorin produkte shumë të lira të blera onlajn duke i mashtruar njerëzit për profesionalizmin dhe sigurinë e tyre.

Sallonet e bukurisë përdorin teknika dhe produkte jo të mira, dhe vajzat e reja zakonisht të moshës 16 dhe 17- vjeçare kanë tendencë t’i mbushin buzët në këto vende. Craig thotë se vajzat nuk duhet asnjëherë të referohen në këto sallone të bukurisë, për shkak se do t’i bartnin pasojat e njëjta si ajo, dhe nëse dëshirojnë t’i nënshtrohen kësaj procedure ato duhet të konsultohen me një kirurg estetik profesionist.

Numri i vajzave të reja që i nënshtrohen kësaj procedure është duke u rritur, prandaj doktorët bëjnë thirrje për ndryshimin e ligjit dhe kontrollimin e këtyre vendeve jo profesionale.