Kancelarja gjermane Angela Merkel, në konferencën e përbashkët me kryeministren serbe Ana Brnabiq, deklaroi se qeveria gjermane ka dhënë rekomandim pozitiv lidhur me hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për anëtarësim në BE.

Kancelarja gjermane u pyet edhe për opinionin e Francës dhe Holandës, ndërsa shtoi se nuk mund të komentojë vendimet e shteteve tjera.

“Nuk mund të flas​ për vendet e tjera pasi ato vendosin vetë, por së pari mund të them për pozicionin gjerman, i cili lidhet me Bundestagun Gjerman. Qeveria ka dhënë një rekomandim pozitiv për të dy vendet me specifikat e veta, si për Maqedoninë e Veriut ashtu dhe për Shqipërinë, por është Bundestagu ai që do të vendosë dhe besoj së shpejti do të kemi një vendim”, tha Merkel.

Pritet që në muajin tetor, BE të vendosë të nisë negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë për anëtarësim të këtyre dy vendeve.