Në vend të heqjes së paraburgimit për ish-prokuroren speciale publike, Katica Janeva, e cila është e dyshimtë në rastin “Reket”, siç kërkoi mbrojtja e saj, Gjykata penale dje me propozim të Prokurorisë ia vazhdoi atë edhe për 30 ditë. Nga ana tjetër, ndërkaq, prokurori shtetëror publik, Lubomir Joveski filloi me delegimin e lëndëve dhe kthimin e prokurorëve të PSP-së në gjykatë.

Avokatja e Janevës, Irena Fërçkovska pardje në Gjykatë parashtroi kërkesë për heqjen e masës së paraburgimit për ish-prokuroren speciale publike, duke thënë se kanë rënë bazat për caktim të masës së paraburgimit me vetë shkarkimin e saj nga PSP dhe nga PTHP Gjevgjeli.

“Qëllimi mund të arrihet edhe me masë tjetër, nuk është patjetër të shkohet me masën më të ashpër. Konsiderojmë se bazat kanë rënë me vetë shkarkimin e saj nga PSP dhe nga PTHP Gjevgjeli”, deklaroi Fërçkovska për MEDIAL-n.

Njejtë si Janeva, e cila ndodhet në paraburgim prej 21 gushtit, Gjykata u caktoi 30 ditë të tjera paraburgim edhe Bojan Jovanovskit – Boki 13 dhe Zoran Milevski – Kiçeec për rastin “Reket”.

Por edhe përkundër asaj që njeriu i parë i PSP-së është në paraburgim, vazhdon gjykimi për lëndët e PSP-së para Gjykatës penale.

Prokurori shtetëror publik, Ljubomir Joveski filloi t’i kthejë prokurorët e PSP-së në gjykatë. Pas autorizimit të tij, prokurorët Fatime Fetai dhe Gavrill Bubeski vazhduan ta përfaqësojnë lëndën “Monstra”, ndërsa prokurores Lençe Ristoska ia delegoi lëndën “Talir 2”.

Prokurorja Fatime Fetai dje gjatë hyerjes në Gjykatën penale ku u mbajt seancë e re për lëndën “Monstra” tha se lufta për drejtësi vazhdon.

Me autorizimin e prokurorit shtetëror publik Joveski, prokurorja Lençe Ristoska do ta prëfaqësojë lëndën e PSP-së “Talir 2” para Gjykatës penale.

Gjykimi për lëndën “Talir 2” është caktuar sot. Paraprakisht seancë gjyqësore për këtë lëndë nuk ishte mbajtur për shkak të mungesës së avokatëve të të akuzuarve.