Ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të BE-së, sot në Luksemburg do të bisedojnë për përparimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe zgjerimin e BE-së.

Ministrat mes tjerash duhet të vendosin nëse dhe kur Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria do t’i fillojnë negociatat për anëtarësim në BE, siç kishte rekomanduar Komisioni Evropian më 29 maj në raportet e progresit.

Deri tani nuk është arritur konsensus mes vendeve anëtare për përfundimet e këtij takimi.

Vendimi që do ta marrin ministrat sot, më pas duhet të konfirmohet edhe nga shefat e shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare në BE, në Këshillin e Evropës më 20 dhe 21 qershor në Bruksel.