Ministria e Arsimit dhe Shkencës e ndjek situatën me epideminë e fruthit, është në koordinim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale dhe në bazë të gjendjes në terren do të vendosë për shtyrje eventuale të gjysmë vjetorit të dytë nga viti 2018/2019, që duhet të fillojë me 21 janar, theksoi ministri i Arsimit, Arbër Ademi.

“Sipas asaj që do e kemi në terren, do të ndërmarrim masa në prag të gjysmë vjetorit të dytë, do të ndërmerret ajo që është e nevojshme nga ana jonë si institucion kompetent”, deklaroi Ademi.

Ai shtoi se në koordinimin me të dy ministritë po mendohet për zgjidhje ligjore me të cilin do të nxiten të gjithë prindërit që t’i vaksinojnë fëmijët.

Ministri shtoi se draft-versioni i ligjit të ri për arsim fillor është në fazën finale dhe së shpejti do të publikohet në ENER.