Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, i ka dhënë shtetësinë shqiptare këngëtares me famë botërore, Dua Lipa, vetëm një ditë përpara 110-vjetorit të Pavarësisë dhe koncertit të saj, i cili do të mbahet në Tiranë.

Kreu i Shtetit, e ka pritur artisten shqiptare, së bashku me familjen e saj, për ta nderuar për kontributin që ajo jep si ambasadore botërore e vendit, përmes artit të saj.

“Është kënaqësi e veçantë që sot presim artisten e madhe Dua Lipa. Them artiste e madhe, por ajo është edhe një vajzë e thjeshtë, që krenarinë më të madhe na e ka dhënë ne, Shqipërisë, Kosovës dhe kudo ku ka shqiptarë nëpër botë.”, përmendi Begaj në fjalën e tij, gjatë ceremonisë.

Po ashtu, ai i bëri me dije muzikantes se rinia shqiptare e ka shembull atë dhe se vetë puna e saj, është tregues se ëndrrat mund të arrihen.

“Ti i ke bërë të gjithë shqiptarët bashkë! Ndaj kam kënaqësinë t’ju jap shtetësinë shqiptare”, shtoi Presidenti i Republikës.

Një yll i muzikës botërore tashmë, Dua Lipa lindi në Londër në 22 gusht 1995 në një familje shqiptare nga Kosova. Ajo u shkollua mes Londrës dhe Prishtinës, ku familja e saj u vendos pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.